E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthen punishtja e solarit, 1 i vdekur dhe 1 i plagosur



Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur dje në ambientet e ish- kombinatit metalurgjik në Elbasan dhe për pasojë ka humbur jetën pronari i saj, ndërkohë që ndodhet në gjendje kritike për jetën punëtori tjetër. Shpërthimi qe mjaft i fuqishëm saqë ka tronditur dje në orët e para të mëngjesit, rreth orës 04:00 të mëngjesit qytetin e Elbasanit. Sipas burimeve zyrtare nga policia e këtij qyteti, shpërthimi ka ndodhur në një punishte private të depozitimit dhe të përpunimit të karburanteve pranë uzinës nr. 12 të kompanisë turke “Kurum International”. Sipas të dhënave të para të policisë, në fillim në punishte ka rënë një zjarr dhe më pas ka ndodhur dhe shpërthimi, i cili ka shkatërruar tërësisht objektin. Flakët gjigande dhe retë e dendura të tymit kanë mbuluar për disa orë një pjesë të qytetit të Elbasanit. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë makinat e shërbimit zjarrfikës, të cilët kanë arritur të shuajnë zjarrin. Rifat Sula, punëtori në këtë punishte dhe pronari i saj, Skënder Biba, kanë qenë duke punuar në punishte kur ka ndodhur shpërthimi. Për pasojë kanë marrë plagë të rënda djegieje në trup. Menjëherë ata janë transportuar në spitalin kirurgjik të Elbasanit, ku dhe u është dhënë ndihma e parë. Më pas, për shkak të gjendjes tepër të rëndë, punëtorët janë transportuar për në QSUT. Mjekja Elio Dino tha se shtetasit Rifat Sula, 48 vjeç dhe Skënder Biba, 35 vjeç, mbërritën në spital në gjendje kritike. Më e rëndë është paraqitur gjendja e pronarit të punishtes Skënder Biba, i cili ka pasur djegie pothuajse në të gjithë trupin. Megjithatë, pavarësisht ndihmës së parë të dhënë në dy qytete, si në Elbasan paraprakisht, ashtu dhe në QSUT, pronari i punishtes ku ndodhi shpërthimi ka humbur jetën në orët e mesditës së djeshme. Sipas burimeve spitalore, mësohet se Biba nuk ka mundur t'u rezistojë dot plagëve të marra si pasojë e flakëve. Gjithashtu, mjekët shtojnë se ai ishte djegur në 100% të trupit, me djegie të gradës së dytë dhe ka qenë në gjendje kritike që në momentin e parë që mbërriti nga spitali i Elbasanit.

Shkaku i shpërthimit

Shkak i shpërthimit në punishten e përpunimit të karburantit pranë uzinës nr. 12, në ish-kombinatin metalurgjik ka qenë puna artizanale që bënin punëtorët. Në këtë përfundim ka mbërritur grupi hetimor dhe shërbimet policore mbas një pune intensive. “Shkak i shpërthimit ne punishten me pronar shtetasin Skënder Biba është se të dy punonjësit, pronari, si dhe shtetasi Rifat Sula, po punonin për prodhimin e nënprodukteve të mazutit (naftës) në mënyrë artizanale me anë të ngrohjes me zjarr”, - thanë burimet policore. Të njëjtat burime saktësojnë se shkaktari i zjarrit ka qenë vetë pronari i punishtes, i cili humbi jetën dje nga plagët e marra, ndërkohë që kolegu i tij ndodhet ende i shtruar në spital nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor dhe policia në vendin ngjarjes pas shuarjes së flakëve kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 50.000 litra solar, si dhe 5000 litra nënprodukt i solarit (naftë). Hetimet për këtë ngjarje me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e një tjetri vazhdojnë, ndërsa mësohet se pronari i punishtes Skënder Biba ka qenë i ndaluar më parë për “prodhim dhe tregtim të kundërligjshëm të mallrave industriale”. Mësohet se Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet për ngjarjen, duke qenë se punishtja nuk rezultonte e regjistruar në organet tatimore.

Ngjarja

Ngjarja ndodhi në një ndërmarrje të ish-kombinatit metalurgjik për përpunimin dhe depozitimin e karburanteve. Sipas të dhënave të policisë u dëmtuan rëndë punëtori, Rifat Sula, 48 vjeç, me banim në fshatin Katund i Ri dhe pronari Skënder Biba, 35 vjeç, nga Elbasani. Ata fillimisht u transportuan në spitalin e Elbasanit dhe sipas mjekëve që i pritën në urgjencë, gjendja e tyre ka qenë shumë kritike. Kjo për shkak të gradës së rëndë të djegieve që kishin pësuar në trup, si pasojë e shpërthimit. Pas kësaj, është kërkuar ndihma e Tiranës dhe të dëmtuarit u dërguan me urgjencë në repartin e djegieve në kryeqytet.

Detaj

50.000 litra solar, si dhe 5.000 litra nënprodukt i solarit (naftë) gjendeshin në punishte

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›