E Shtunë, 31 Tetor 2026

Babai i viktimës: E nisa te nusja, se kishte ditëlindjen

Në familjen e 32-vjeçarit Leonard Hazizja, i gjetur i masakruar në tunelet e ish-repartit ushtarak të tankeve në Levan, ka pllakosur zia. Ndërsa nuk besojnë në deklaratën e njërit prej autorëve të ngjarjes, 18-vjeçarit Miço Osmani, të afërmit e tij i kanë bërë apel shtetit për të gjetur motivin e saktë të vrasjes. I ati, vëllai, daja dhe xhaxhai i tij, janë shprehur dje për gazetën "Shqip" se: "Policia dhe shteti duhet të gjejnë motivin. Nuk besojmë tek ato që ka shprehur një prej autorëve të arrestuar, se Leonardi ka vrarë një njeri disa vjet më parë".
Kismeti Hazizaj, rreth të 70-ve, i rrethuar nga djali i vetëm që i ka mbetur, dhe nga i vëllai e kunati, pret dhe përcjell njerëzit e shumtë që e ngushëllojnë për fatkeqësinë që i ka ndodhur. I përlotur ai ka rrëfyer për "Shqip" kontaktet e fundit me të birin. "Joni (kështu i flisnin familjarët Leonardit) kishte gjashtë muaj që ishte kthyer nga emigrimi, ku qëndroi tetë vjet. Tre muaj më parë për të mbajtur familjen, mori me qira dy mjedise private në qendër të fshatit Strum dhe rregullonte pajisje elektro-shtëpiake. Këtë profesion e kishte mësuar në Greqi ku qëndroi për 8 vjet. Fitonte sa për të mbajtur shtëpinë dhe për të paguar qiranë e dy dyqaneve. Nuk ka pasur kurrë probleme", tregon Kismeti, ndërsa fik dhe ndez cigaret njëra pas tjetrës.
Kismeti tregon se ditën e enjte, ashtu si çdo ditë tjetër, Leonard Hazizaj kishte punuar deri vonë në dyqanet e tij. "Rreth orës 18:30 erdhi në shtëpi dhe na tha se i kishte telefonuar vjehrri, pasi e fejuara e tij, Fidajetja, kishte datëlindjen. Më njofton se do të ikte andej dhe madje më tregoi se do të blinte një tortë në Roskovec. Pritëm deri nga mesnata e së enjtes, por nuk u kthye. I thashë gruas ta marrë në telefon, por e kishte të mbyllur. Menduam për ndonjë problem me baterinë, por kur ai nuk u kthye as të premten, u detyrova që nga pasditja të kërkoja informacione për të. Tentova të bëja thirrje në celular, por e kishte të mbyllur. I telefonova më pas krushkut, vjehrrit të djalit, por dhe ai më tha se nuk e kishte takuar. Madje, nuk kishte shkuar as të enjten në darkë. U shqetësova dhe parandjeva se diçka e rëndë kishte ndodhur", tregon Kismet Hazizaj.
Më tej nga dëshmia e të atit të viktimës mësohet se familjarët i kanë telefonuar një të afërmi të tyre që është inspektor policie në Fier. Ky i fundit e ka marrë të mirëqenë denoncimin e humbjes dhe ka njoftuar kolegët e tij për të dhënat e 32-vjeçarit të zhdukur. Pasi kanë kërkuar për më shumë se 18 orë te të afërmit, mësohet se familja Hazizaj është njoftuar për gjetjen e trupit të pajetë. I vëllai i viktimës tregon se fillimisht është gjetur makina personale e Leonardit. "Nga vendi ku u gjet vëllai, makina ishte larg më tepër se 6 km. Ne kërkuam me mendimin se mos makina kishte pësuar defekt. E gjetëm dhe kur u futëm brenda, pamë edhe tortën që ishte e padëmtuar. Më pas nisëm kontrollin e zonës. Ne dhe policia jemi përballur njëkohësisht me kufomën. Ishte vërtet e tmerrshme ajo që pamë", shprehet i tronditur i vëllai i viktimës. Mësohet se ka qenë daja i Leonardit, ai që është ndeshur i pari me trupin e nipit të vrarë dhe më pas është përballur me hetimet e policisë.
"Trupin e tij e kishin masakruar. I kishin hequr edhe sytë nga zgavra. Fytyrën ia kishin dëmtuar dhe në kokë ka pasur shumë vrima. Ishte i dhunuar kudo", tregon daja, ndërsa merr frymë thellë duke u ngashëryer. Pak sekonda më vonë ai rimerr sërish fjalën duke thënë se :"Nga mbrëmja vonë e së shtunës kur dhe trupin e morëm në shtëpi na lajmëruan ata të policisë se ishte kapur një prej autorëve. U përballa me të dhe me deklaratën e tij. Thoshte që e kishte vrarë Leonardin se ai i ka ekzekutuar të atin gjatë vitit 1997. Kjo është e pabesueshme. Leonardi nuk ka bërë kurrë një gjë të tillë. Ka diçka tjetër që fshihet në këtë mes". Rreth orës 11:00 të së dielës, 32-vjeçarit të masakruar i është dhënë lamtumira e fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›