Vlorë, një i tretë i përfshirë në gjobëvënie
Veç dy të ndaluarve nga policia e Vlorës për gjobëvënien e tre biznesmenëve të ndërtimit, pritet që në pranga të përfundojë dhe një person tjetër. Burime nga policia e Vlorës bëjnë të ditur se Nikollaq Taullaraj, 26 vjeç dhe Ardit Alushaj, 20 vjeç, në momentin që janë arrestuar në flagrancë teksa merrnin 20 mijë eurot që i kishin vënë gjobë një biznesmeni vlonjat, shoqëroheshin dhe nga një person i tretë. Ai i priste jashtë lokalit që ishte caktuar për t‘u dorëzuar paratë dhe është shoqëruar për në komisariat së bashku me dy të tjerët. Por ndërsa për Taullarajin dhe Alushajn provat ishin më se të mjaftueshme, pasi u kapën në flagrancë, shoku i tyre është lënë i lirë derisa të sigurohen provat e mjaftueshme për ta vënë në pranga. Emri i tij mbahet sekret për arsye hetimore, por mësohet se pritet që të zbardhen tabulatet e telefonatave për të saktësuar përfshirjen e tij në gjobat që u ishin vënë tre biznesmenëve vlonjatë. Arrestimi i dy të rinjve u bë pas denoncimit që tre sipërmarrës ndërtimi vlonjat kishin bërë në Policinë e Shtetit. Ata kërcënoheshin që prej një jave me telefonata dhe mesazhe dhe u ishte kërkuar të paguanin një gjobë prej 20 mijë eurosh, nëse nuk kërkonin telashe. Pas marrjes së denoncimit, policia e Vlorës në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda të Tiranës, organizoi operacionin "Target", i cili u finalizua me kapjen në flagrancë të dy të rinjve. Arrestimi i tyre u bë në një lokal në zonën e Skelës, që ishte caktuar si vend takimi për të dorëzuar eurot e gjobës. Ndaj tyre tashmë ka nisur procedimi penal për veprën penale të "Shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë", parashikuar nga neni 109/b i Kodit Penal.
M.Marsi