E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestë dhe përkujtimore

Edmond Arizaj 

Nën sloganin romantik “Mos harro” Edi Rama (jo Partia Socialiste) së bashku me vullnetarët (jo socialistë), kanë ftuar qytetarët edhe derë më derë, të zhvillojnë sot një tubim të pazëshëm, më saktë një përkujtimore në njëvjetorin e tragjedisë së Gërdecit. Larg partive, larg flamujve, larg sloganeve politike. Problemi i parë dhe më madhori është se shumica e njerëzve që do të mblidhen sot në sheshin “Skënderbej”, nuk janë qytetarët e pavendosur apo indiferentët. Ata siç kanë qenë përherë do të jenë socialistët, qoftë të viteve të shkuara, qoftë të këtyre ditëve. Madje po të kërkohet me ngulm, edhe ata që u paraqitën me aq kujdes në disa media, duke marrë fletëthirrjen apo ftesën e Ramës, mund të mos jenë të pranishëm. Sheshi nuk do të jetë as nën këmbët e anëtarëve të shumë simboleve me të cilët Rama bëri marrëveshje, që gjithsesi janë simbolikë (duke nisur nga familjarët e viktimave). Sheshi do të jetë ekskluzivitet i socialistëve, pavarësisht se askund nuk është folur për ta. Tubimi është deklaruar me forcë se do të jetë i qytetarëve, por Rama dhe Veliaj nuk e kanë sqaruar fort mirë se me çfarë statusi paraqiteshin në shtëpitë e njerëzve, si kryetarë partish, apo si qytetarë. Gjithsesi, ajo që dihet me siguri është se kryetarët poshtë kryetarit Rama dhe ata poshtë kryetarëve, kanë ditë që përgatiten për të sjellë në tubim “qytetarët” (a thua është turp të ftosh fillimisht socialistët, se dhe ata qytetarë janë, e më pas le të bashkohen të gjithë ata që e ndjejnë se duhet bashkuar). Por çfarë efekti mund të ketë ky tubim përkujtimor, jo partiak, ku në prapaskenë mund të lexohet qartë qëllimi i vetëm, ai elektoral.
Slogani “Mos harro” mund t’u kujtojë fare mirë të pranishmëve se Gërdeci është “eksperiment fitimprurës” i anëtarëve të qeverisë Berisha dhe i vetë kryeministrit. Por nga ana tjetër, shumëkush aty në përkujtimore mund të kujtohet se ishte pikërisht Edi Rama që nuk lejoi që mbi Berishën të shfryhej marazi i përligjur popullor. Ajo rrahje shpatullash në Spitalin Ushtarak nga kryesocialisti (me këtë status shkoi atje) për kryeministrin, teksa barelat kalonin njëra pas tjetrës me të vdekur e të plagosur, nuk mund të shqitet kollaj nga kujtesa. Aty nuk do të harrojnë edhe se Berisha mohoi njohjen me baxhanakun e tij, mohoi se kishte lidhje me këtë skandal shpërthyes-korruptiv. Dhe nga ana tjetër do të kujtohet se ishte pikërisht politikani Rama që i zuri të gjitha shtigjet opozitës, duke e bërë Berishën me një kushtetutë që nuk e kishte ëndërruar as në 1994, vetëm me një ngritje kartoni. Nuk do të harrohet as mashtrimi i madh për gjetjen e menjëhershme të fajtorëve. E do të ketë nga ata që do të kujtojnë, por pa folur me shokun afër, se ishte pikërisht Edi Rama që nuk lejoi ngritjen e një komisioni hetimor për këtë tragjedi. Pa nuk do të harrohen edhe lënia në mëshirë të fatit të familjarëve të viktimave e të plagosurit, por do të kujtohet edhe harresa që Edi Rama u bëri këtyre njerëzve, ku vendin e gërdecarëve e zunë koçanët pa fara të misrit. Atyre socialistëve-qytetarë do t’u imponohet të mos harrojnë as batakçillëqet e tjera të qeverisë, por secili do të kujtojë në heshtje se Edi Rama nuk luajti asnjë gisht për ta detyruar qeverinë dhe Berishën të jepte llogari. Ata njerëz që do të vijnë nga të gjitha anët e Shqipërisë, me tesera në xhep apo të lëna në shtëpi, nuk do të harrojnë shkatërrimin e vendit nën drejtimin e Berishës, dhe njëkohësisht do të kujtojnë se ka qenë pjesëmarrës me indiferencën e vet, apo me lëshimet e tij edhe vetë kryeqytetari në përkujtimore. Për fat të keq, shumicës në tubim i duhet të kujtojë fitoren më të madhe, atë të rrëzimit të Kushtetutës së presidentit Sali Berisha, dhe nuk do të harrojnë se kjo u arrit si socialistë; ndërsa si turmë amorfe pa dallim feje, krahine dhe ideje, nuk kanë asnjë aksion politik të fituar, vetëm çfarë kanë falur.
Por do të ketë edhe nga ata që veshët do t’i mbajnë nga sheshi ngjitur, “Nënë Tereza”, aty ku Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka përdorur spërdredhje të lodhshme për të ftuar simpatizantët e saj dhe gjithë qytetarët. Thjesht ka thënë: “Berisha ik”. Dhe të majtët nuk kanë nevojë për ftesa televizive për të qenë në një protestë ku të shprehen me sa munden. Askush nuk duhet të harrojë asgjë sot. As “qytetarin” Rama që përjashtonte nga përkujtimorja LSI-në. E pas tij e përjashtonte dhe Veliaj. Nuk duhet harruar mbi të gjitha se sot nuk është dita për përkujtimore qytetarësh, është dita për protestë popullore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›