Kush frikësohet nga shifrat reale
Kush ka frikë nga shifrat reale në Maqedoni dhe kush tentoi t’i falsifikojë ato. Kjo pyetje qarkulloi për një kohë të gjatë, menjëherë pas dështimit të Regjistrimit të popullsisë në vitin 2011. Elita politike ishte ajo e cila e para përmendi fjalën "falsifikim", por kurrë nuk mori përgjigje dilema mbi përqindjet reale të etniteteve në Maqedoni. Të dhënat statistikore shtatë muaj pas dëshmojnë për ndryshime drastike të numrave
Kush tentoi të falsifikojë regjistrimin e popullsisë në Maqedoni në vitin 2011? Kjo është dilema aq shumë e përfolur, por ende e pazgjidhur që nga tetori i vitit të kaluar, kur duke filluar nga kryeministri Nikolla Gruevski, drejtuesit e Komisionit Shtetëror për Regjistrim, partitë politike, ekspertët dhe analistët e ndryshëm - për disa javë radhazi shkëmbyen akuza njëri-tjetrit për tentim të falsifikimit të regjistrimit të popullsisë. I pari ishte kreu i Qeverisë, Nikolla Gruevski, ai i cili pasi tha se me ndërprerjen e regjistrimit të popullsisë, i cili filloi më 1 tetor 2011, kishte shpëtuar falsifikimin e regjistrimit, akuzoi opozitën maqedonase se në regjistrimin paraprak të vitit 2002, kishte lejuar falsifikimin dhe shtimin e numrit të shqiptarëve në Maqedoni. Kjo deklaratë mbeti me kaq dhe nuk mori një përgjigje të saktë edhe përkundër tentativave të shumta të opozitës dhe subjekteve në ndryshme në vend për të zbardhur detajet e atij "falsifikimi". Opozita e pakënaqur me përgjigjet e Qeverisë për regjistrimin e vitit 2002, vazhdoi të kërkojë përgjigje edhe për regjistrimin e fundit, atë të vitit 2011, i cili ishte ndërprerë pas një kaosi që u shkaktua në opinion. "Kush deshi të falsifikojë regjistrimin?", ishte pyetja që nuk mori përgjigje nga askush, as nga vetë kryeministri, i cili i pari plasoi dilemën se dikush tentoi të ndryshojë shifrat, e as nga ish-drejtuesit e dy përbërjeve të Komisionit Shtetëror për regjistrimin e popullsisë, të cilën dhanë dorëheqje si pasojë e mosmarrëveshjeve në lidhje me metodologjinë e regjistrimit të banorëve rezidentë. Shtatë muaj më pas, këto dilema i thellojnë edhe më shumë ekspertët e statistikës dhe të dhënat statistikore që vet Enti shtetëror për statistikë i Maqedonisë i publikon për çdo vit. Dikush ishte frikësuar nga të dhënat e vërteta, thonë ekspertët dhe analistët, të cilët paraqesin shifra që flasin për rritje të përqindjes së etniteteve të ndryshme në Maqedoni, ndërsa nga ana tjetër - rritje e mortalitetit të etnitetit shumicë në vend. Po të analizohen të dhënat lidhur me lindjen, vdekjen dhe shtimin natyror të popullsisë, gjegjësisht të analizojmë natalitetin si një komponentë dinamike, mortalitetin si komponentë negative e lëvizjes së popullsisë dhe shtimin natyror të popullsisë, që paraqet dallimin midis numrit të të lindurve dhe të të vdekurve, në 1000 banor në një periudhe të caktuar kohore, do të mundë të paraqitet ecuria e lëvizjes së popullsisë dhe norma e shtimit natyral të popullsisë në Maqedoni. Duke analizuar natalitetin dhe mortalitetin e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, sipas përkatësisë etnike, do të shohim tendencat e lëvizjes së popullsisë nga e cila rrjedhë rritja apo zvogëlimi i numrit të popullsisë. Në analizë, si ekzemplarë janë marrë të dhënat e shtimit të popullsisë sipas përbërjes etnike të vitit 2008, 2009 dhe 2010. Të dhënat statistikore flasin qartë që në periudhën 2008-2010, konform vjetorëve statistikorë për vitet 2008, 2009, 2010 - numri i maqedonasve është zvogëluar për 5.368 banorë, numri i vllahëve për 104, numri i serbëve për 771, përderisa numri i shqiptarëve është rritur për 13.385, i turqve 1.812, numri i romëve është rritur 3.751, boshnjakët për 271. Në qoftë se bëhet një analizë e thjeshtë duke marrë par bazë rezultatet nga Regjistrimi i popullsisë në vitin 2002, si dhe të dhënat për lëvizjen natyrore të popullsisë në Maqedoni në periudhën 2008, 2009 dhe 2010, vërehet qartë një zvogëlim i pjesëmarrjes së popullsisë maqedonase në numrin e përgjithshëm të popullsisë në vend dhe krahas kësaj, një rritje e pjesëmarrjes së popullsisë shqiptare në të.
Duke analizuar të dhënat zyrtare statistikore, ekspertët e kësaj lëmie thonë se gjatë dhjetë viteve të fundit, pa përfshirë numrin e qytetarëve që kanë migruar jashtë vendit, shqiptarët kanë shënuar një rritje në përqindjen e tyre në nivel nacional, ndërsa kjo rritje është më e theksuar në nivel lokal. "Pra, në bazë të projeksionit të kryer vetëm për periudhën 2008, 2009, 2010 pa analizën e pesë viteve tjera nga 2002-2007, pjesëmarrja e shqiptarëve në numrin e përgjithshëm të popullsisë duhet të jetë më së paku 25.66 për qind, pra shënon një rritje prej 0.49 për qind. Kjo përqindje nuk është e plotë, sepse përfshinë të dhënat e vitit 2008-2010. Një simulim tjetër më i përafërt ku për periudhën 2008, 2009 dhe 2010 janë shfrytëzuar të dhënat e entit statistikorë, ndërsa për periudhën pesëvjeçare nga viti 2002, 2003, 2004, 2005, 2006 në mungesë të të dhënave - janë shfrytëzuar të dhënat e vitit 2010 që kanë tendenca pothuajse të ngjashme me devijime të vogla do të nxjerrë në sipërfaqe prognozën e strukturës vijuese etnike të popullsisë në Maqedoni", thotë profesori universitar i ekonomisë, njëherësh deputet në Parlamentin e Maqedonisë, Izet Zeqiri. Prognozat analitike të bazuara në të dhënat shtetërore të statistikës, sipas Zeqirit, tregojnë se shqiptarët, sipas regjistrimit të 2011, do të duhej të ishin mbi 26.38 për qind e popullsisë së Maqedonisë. Këtë, thotë ai, e dëshmon nataliteti dhe shtimi i popullsisë i shprehur në komunat ku popullsia shqiptare është shumicë dhe ku dallimi midis lindjeve dhe vdekjeve është pozitiv, përkundër dallimit negativ ose të ulët në shumicën e komunave ku popullsia maqedonase është shumicë. Pretendimet e Zeqirit, i dëshmojnë edhe të dhënat zyrtare statistikore ku shihet se gati se te të gjitha komunat me popullsi shumicë shqiptare, kemi trend pozitiv të lëvizjes së shtimit të popullsisë, ndërsa te komunat me popullsi shumicë maqedonase - vërehet një trend negativ i rritjes së popullsisë. Në Komunën e Tetovës shtimi është 73 lindje, kurse në Komunën e Manastirit është minus 71 qytetarë. Në Gostivar 38 lindje më tepër se sa të vdekur brenda një viti, në Prilep kemi 19 vdekje më shumë se sa lindjet, në Ohër është minus 2, kurse në Strugë 39 lindje më tepër, në Studeniçan 79 lindje, kurse në Gjorçe vetëm Petrov 11. Ky fenomen që për vendet e ndryshme në botë nuk do të ishte problem, në Maqedoni paraqet një rëndësi të veçantë për organizimin e jetës politike dhe shoqërore në vend. Pasi të drejtat dhe pjesëmarrja institucionale e komuniteteve në vend varet drejtpërdrejti nga përqindja e tyre, sipas Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, të nënshkruar menjëherë pas konfliktit të vitit 2001.
"Dyfishohen" minoritetet/Regjistrimi i vitit 2011 u ndoq me shumë vëmendje nga përfaqësuesit politik dhe drejtuesit e të gjitha etniteteve në vend. Këta të fundit, falë shifrave reale, shpresonin në pjesëmarrje më të madhe kryesisht në pushtetin lokal, por dhe në atë qendror. Përveç komunitetit shqiptar, i dyti për nga madhësia në vend, një ripozicionim politik pritën edhe etnitetet e tjera si ai turk, serb dhe të tjerë, të cilët në disa komuna rurale dhe urbane - pretendojnë se kanë shënuar rritje gjatë dekadës së fundit. Rritja e përqindjes së etniteteve në Maqedoni nuk është i lidhur ngushtë vetëm nga rritja e natalitetit, por edhe nga shprehja e përkatësisë etnike që gjatë viteve të fundit - kishte hasur në probleme si pasojë e margjinalizimit të pakicave etnike. Dilemat e para lindën menjëherë pas dështimit të regjistrimit, ku pjesëmarrësit në këtë proces, jo zyrtarisht thanë se në vende të ndryshme - është hasur rritja e përqindjes së qytetarëve që kanë dëshmuar përkatësinë e tyre etnike torbeshë, serbe dhe turke, që nuk e kishin bërë në regjistrimet paraprake. Për herë të parë - një gjë të tillë e dëshmojnë edhe vetë përfaqësuesit politik të komunitetit serb dhe atij turk në Maqedoni, deputeti Ivan Stoilkoviç dhe ai turk, Kenan Hasip, që të dy pjesë e koalicionit qeveritar, njëherësh organizator të regjistrimit të popullsisë në Maqedoni.
Edhe pse drejtpërdrejt nuk pranojnë se shifrat reale kanë qenë arsyeja kryesore e ndërprerjes së Regjistrimit, ata megjithatë pohojnë edhe zyrtarisht spekulimet se në Kumanovë dhe Shkup ka shënuar një rritje të theksuar numri dhe përqindja e qytetarëve të deklaruar si serb, si dhe të atyre turk në qytetet e tjera. "Po, të dhënat tona tregojnë se gjatë tetë ditëve të para sa u zhvillua regjistrimi, numri i komunitetit serb ka shënuar rritje. Pasi në numrin absolut të popullsisë në vend ishte hetuar një rënie prej 4.7 për qind e popullsisë, kjo pritej të rrit edhe përqindjen e komunitetit serb. Të dhënat dhe analizat tona flasin se në Maqedoni ka mbi 60 mijë serb, ose në total - 3.2 për qind të popullsisë", thotë Stoilkoviç. Këto të dhëna flasin për një dyfishim të numrit të serbëve në Maqedoni që në regjistrimin e vitit të kaluar, kishin qenë rreth 1.7 për qind. Përveç natalitetit, një faktor tjetër që ka shënuar rritjen e përqindjes së serbëve ka qenë guximi i këtyre të fundit që kësaj radhe të pranojnë përkatësinë e vërtetë etnike, për dallim nga e kaluara kur ishin regjistruar si maqedonas. Edhe komuniteti turk që në të kaluarën ishte regjistruar mysliman, ose përkatësi tjetër etnike, vitin e kaluar pritej të shënojë një rritje të theksuar. Edhe deputeti turk, Kenan Hasip, pjesë e koalicionit qeveritar, ngjashëm si kolegu i tij Stoilkoviç, thotë se arsyet e dështimit të regjistrimit ishin mosmarrëveshjet dhe paqartësitë në rregullativë dhe legjislativë, mirëpo edhe ai thotë se ditët e para të regjistrimit të dështuar flasin për rritje të përqindjes së turqve në Maqedoni. I pyetur nëse është e vërtetë se në Dojran dhe qytete të tjera, gjatë ditëve të para, turqit pretendonin të rezultojnë gjysmën e popullsisë lokale, Hasip pranon se informacione të tilla ka dëgjuar, por nuk mund ti konfirmojë, për shkak se procesi nuk arriti të përfundojë. "Kemi dëgjuar edhe ne, flitej nga komisionarët lokal, por asgjë nuk mund të thuhet me saktësi. Ajo që ne kemi arritur të vërtetojmë është fakti se në këto qytete që përmendni ju dhe në vende të ndryshme në Maqedoninë Jugore dhe Perëndimore, ka pasur rritje të numrit të qytetarëve që janë deklaruar si turq. Analizat tona janë se komuniteti turk në vend tanimë ka kaluar mbi 5 për qind dhe ky rezultat pritej të del edhe nga regjistrimi që fatkeqësisht - dështoi", thotë deputeti Kenan Hasip.
Frika nga bullgarët/Komuniteti bullgar ende mbetet një problem për Maqedoninë. Kjo e fundit akuzohet nga shteti fqinjë se nuk pranon pakicën bullgare dhe nuk lejon shprehjen e përkatësisë së tyre etnike. Megjithatë, burime nga Komisioni Shtetëror për Regjistrim, thonë se shumë bullgarë kishin shfrytëzuar fushën "tjetër" në grafën e përkatësisë etnike dhe kishin shkruar "bullgar". Numri i këtyre të fundit thuhet se më i madh është në Berovë, Dellçevë, Shtip dhe qytetet në Maqedoninë Lindore, ku edhe pse nuk ka një shifër të saktë zyrtare, flitet se mbi 5000 qytetarë janë të pajisur me pasaportë bullgare, ndërsa mijëra vetura vazhdojnë të mbajnë targat bullgare. Statusi i komunitetit bullgar në Maqedoni ka arritur edhe në Parlamentin Evropian. Eurodeputeti bullgar, Evgenij Kirolov, disa herë ka lëshuar akuza në drejtim të Maqedonisë duke përsëritur kërkesën për zyrtarizimin e bashkësisë etnike bullgare në Maqedoni. "Zhvillimet flasin se pushteti i Maqedonisë i mbyll sytë dhe nuk jep përgjigje për kërkesën zyrtare të Bullgarisë", ka deklaruar Kirolov për agjencinë bullgare "Fokus", gjatë arrestimit të një qytetari të Maqedonisë me shtetësi të dyfishtë. "Inati" i bullgarëve të Maqedonisë doli në shesh edhe gjatë Ligjit të ri për regjistrimin e veturave me targa të huaja në Maqedoni. Pronarët e veturave me targa bullgare asokohe thanë se edhe sikur të mos ketë asnjë të hyrë në Maqedoni, ata nuk do ti ndryshojnë targat e veturave të tyre duke i ruajtur ato bullgare. Gjatë një vizite të ekipit tonë në Berovë, arritëm të takojmë disa maqedonas-bullgar, të cilët rrëfimet e tyre nuk pranonin ti japin me identitet të plotë, për shkak se siç thonë ata, janë nën thjerrzën e shtetit. "Ne jemi bullgar, nga gjyshi e brezat më herët. Për shkak të së drejtës së shkollimit, punës dhe të drejtave të tjera - jemi detyruar të shkruhemi maqedonas. Ne ndjehemi bullgar edhe gjuha jonë dhe e shumicës së bashkëqytetarëve tanë ngjason më shumë me bullgarishten, por megjithatë jemi të detyruar të shprehemi si maqedonas", thotë një banorë i Berovës, qytet ky që ndodhet në Maqedoninë Lindore, shumë afër kufirit me Bullgarinë. Një qytetarë tjetër thotë se ai nuk ka pasur guximin e kushëririt të tij edhe pse ëndërron që një ditë të mbajë përkatësinë e vërtetë etnike. "Kushërini im është regjistruar bullgar, por ai punon më shumë me Bullgarinë dhe nuk varet nga Maqedonia. Edhe ne jemi bullgar, por nëse deklarohemi si të tillë - e dimë që fillimisht prindërve të mi do t’ua ndalin pensionet. pastaj nuk e di çfarë tjetër mund të na ndodh", thotë një banorë tjetër, i cili ngjashëm nuk pranoi të publikojë emrin e tij. Në Berovë, Shtip, Dellçevë dhe Strumicë gjithnjë e më tepër janë shtuar edhe martesat e banorëve të kësaj ane me shtetaset bullgare të qyteteve fqinjë. Banorët e këtyre qyteteve thonë se këto lidhje farefisnore kanë ekzistuar me shekuj, por në disa periudha - kanë pasur ndërprerje. Pas liberalizimit të kalimeve kufitare, ato janë rikthyer.
Kush deshi të falsifikojë/Deklarata e parë e kryeministrit Nikolla Gruevski se ka parandaluar falsifikimin e regjistrimit, dhënë në një intervistë për agjencinë shtetërore informative MIA, ngjalli një debat të ashpër parlamentar. Opozita ka drejtuar kritika të ashpra në drejtim të partive në pushtet për politizimin e procesit dhe për tentime për falsifikimin e tij. "Sot flasim për tentimin për të falsifikuar regjistrimin. Duhet të përgjigjeni në pyetjen kush tentoi ta bëjë këtë, Gruevski apo Ahmeti, apo ndoshta Gruevski dhe Ahmeti së bashku. Të gjithë pjesëmarrësit në realizimin e këtij procesi ishin nga radhët e VMROsë dhe BDI-së, andaj duhet të përgjigjeni se kush tentoi të bëjë falsifikimin e regjistrimit", tha Jani Makraduli, deputet nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë. Ajo që ngjalli edhe më tepër akuza ishte kundërpërgjigja e VMROsë, deputeti i së cilës përveç që hodhi tendencat e opozitës, akuzoi këta të fundit për "rritje joreale" të numrit të shqiptarëve në vitin 2002. "Ne si Parlament i Maqedonisë, nuk duhet të lejojmë që rezultatet e regjistrimit që realizohej deri më tani të jenë shkak për mosbesim mes bashkësive etnike dhe partive politike. Për ne, më me rëndësi është që të kemi regjistrim real, të saktë dhe objektiv, se sa regjistrim për çfarëdo çmimi. Me këtë propozim bien në ujë të gjitha vlerësimet e opozitës, se regjistrimi paraqet pazar mes liderëve Gruevski dhe Ahmeti", tha deputeti i VMRO-së, Ilija Dimovsi, duke ftuar LSDM-në që të mos luaj me marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni, duke plasuar të pavërteta lidhur me ndërprerjen e regjistrimit. Bashkimi Demokratik për Integrim, vetëm kishte mbështetur vendimin për ndërprerjen e regjistrimit, duke mos komentuar dilemat hipotetike. "Ne mbështesim propozimin për faktin se nuk korrespondon me rregullat e parapara me Ligj, kurse çështjet hipotetike nuk dua t’i komentoj, por mbi të gjitha - ne duhet të përcjellim procesin, dhe situata e krijuar arsyeton propozimin e qeverisë për ndërprerjen e këtij procesi", tha Talat Xhaferi, koordinator i grupit parlamentar të BDI-së. PDSH-ja opozitare braktisi seancën ku u diskutua vendimi për ndërprerjen e procesit të regjistrimit. Regjistrimi i popullsisë kishte filluar më 1 tetor, por u ndërpre në ditën e tetë për shkak të vlerësimeve të Komisioni Shtetëror për Regjistrim për dështimin e tij, pasi gjatë këtyre ditëve - ishte regjistruar vetëm një e katërta e popullatës, gjë që nuk linte asnjë shpresë që në shtatë ditët e mbetura të regjistrohet pjesa tjetër, pasi kishte rajone si Tetova që ishin regjistruar vetëm se 3.6 për qind e popullsisë. Regjistrimi i popullsisë nga viti 2002 ka dhënë këto shifra zyrtare për përbërjen etnike të popullsisë së këtushme: 1.297.981 ose 64.18 për qind maqedonas etnikë apo sllavisht folës, që veten e quajnë maqedonas në kuptim të identifikimit kombëtar; 509.083 ose 25.17 për qind shqiptarë etnikë autoktonë në këtë vend; 77.959 ose 3.85 për qind turq; 53.879 ose 2.66 për qind romë; 35.939 ose 1.78 për qind serbë etnikë; 9.695 ose 0.48 për qind vllehë ose arumunë dhe 38.011 ose 1.88 për qind janë deklaruar si të tjerë.
Hulumtimi është realizuar me mbështetje të Shoqatës së Gazetarisë Hulumtuese SCOOP. Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Koha”