Kreu i LSI-së, apel forcave politike: Të punojmë për integrimin e vendit

Meta: Përfaqësimi i grave, në nivele të rëndësishme
Gjatë konferencës së Lëvizjes së Gruas për Integrim në Korçë (LGI), kreu i LSI-së Ilir Meta garantoi përfaqësim të drejtë të grave, në nivele të rëndësishme vendimmarrëse. “Unë jam i sigurt se në të ardhmen përfaqësimi juaj do të jetë në nivele absolutisht shumë të rëndësishme, sepse nuk është çështje kuotash përfaqësimi i grave, përfaqësimi i vajzave, përfaqësimi i nënave, por është një domosdoshmëri për të qenë në të gjitha forumet vendimmarrëse në nivel lokal, në nivel kombëtar në mënyrë që t’i jepet zgjidhje sa më shumë problemeve që shqetësojnë ato sepse sa më pak shqetësime të kenë gratë, vajzat dhe nënat e Shqipërisë aq më të lumtura janë familjet shqiptare. Është e rëndësishme që të kuptojmë se shumë vende po jetojnë momente të vështira dhe e gjithë bota po ndeshet me probleme të panjohura më parë dhe me një krizë, të cilës ende nuk i dihet fundi”- u shpreh Meta. Ai foli për rolin e grave në shoqëri, duke theksuar se gratë janë një fuqi e madhe që duhet investuar në të mirën e vendit. “Unë kam besim të jashtëzakonshëm tek gratë e Shqipërisë të cilat kanë aftësi të jashtëzakonshme, kanë një vitalitet të jashtëzakonshëm dhe pjesëmarrja e tyre më e gjerë në politikë do të thotë më shumë energji pozitive, do të thotë një mundësi më e madhe për të ecur më shpejt në drejtimin e duhur, më shpejt për të konsoliduar dhe emancipuar shoqërinë tonë, por absolutisht më shpejt për të forcuar dhe konsoliduar familjen shqiptare, një familje gjatë këtyre dy dekadave të tranzicionit është tronditur jo pak nga fenomene të panjohura më parë. Ndaj dhe roli i grave ka qenë dhe është shumë i rëndësishëm dhe unë jam i sigurt se ky rol do të vijë rritje sepse kjo fuqi e madhe është një fuqi që duhet investuar në të mirë të vendit në të mirë të familjeve shqiptare, në të mirë të edukimit të gjeneratave të reja”- tha ai.
Gjithashtu, kreu i LSI-së foli dhe për krizën në fqinjin tonë Jugor, duke u shprehur se një situatë e tillë s’duhet të prekë Shqipërinë. “Po të shohim zhvillimet e fundit në Greqi, një vend prej dekadash anëtar i Bashkimit Europian, një vend ku ndodhen dhe sot shumë prej të afërmve tuaj, po të shohim problemet edhe në vende të tjera të Bashkimit Europian, vende të cilat përfaqësojnë partnerët kryesorë ekonomikë dhe tregtarë të Shqipërisë do të shohim se nuk është një situatë siç ata do të dëshironin për veten e tyre, por edhe ne për ta dhe për të gjithë rajonin ku jetojnë sepse sot gjithçka është e ndërvarur si më parë për shkak të proceseve integruese ku vendi ka hyrë prej dy dekadash. Ndaj është e rëndësishme që të forcohet stabiliteti politik dhe ekonomik i vendit, ndaj është e rëndësishme që jeta politike të përqendrohet tek zgjidhjet që të vendoset arsyeja dhe logjika në themel të çdo zgjidhjeje që i shërben forcimit të këtij stabiliteti”- tha ai. Duke theksuar se, “është e rëndësishme që të ecim më shpejt drejt Bashkimit Europian, edhe për një arsye tjetër, sepse është e vërtetë që BE-ja e ka ulur shpejtësinë për zgjerimin e vendeve të tjera për arsye të problemeve që ai ndeshet vetë dhe e vetmja mënyrë për të kompensuar këtë, është që ne të rrisim shpejtësinë, që të ne të përshpejtojmë reformat që ne të tregojmë se dimë t’i plotësojmë të gjitha standardet të cilat nuk na duhen thjesht për të shkuar në Bashkimin Europian, por të cilat na duhen për të pasur një Shqipëri më të qëndrueshme, një Shqipëri më të sigurt, një Shqipëri ku të rinjtë dhe të rejat gjejnë të ardhmen dhe perspektivën e tyre sepse po e shohim që edhe emigracioni nuk është një zgjidhje as e mrekullueshme dhe as mund të jetë një zgjidhje përgjithmonë”.