Kush i dogji?
Portretet e Ibrahim Rugovës dhe Fatmir Sejdiut nuk do të shihen më në objektin ballor të selisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kjo pasi të martën dikush ua ka vënë zjarrin atyre.
Burime të Expressit brenda LDK’së thonë se dyshohet se ky është akt i qëllimshëm - pjesë e një lufte të shpallur tashmë mes Kryetarit Isa Mustafa dhe ish-Presidentit Fatmir Sejdiu.
“Ata nuk kanë mundur t’i heqin fotot e Fatmir Sejdiut. Prandaj, ne dyshojmë se qëllimisht e kanë porositur dikë që t’i djegë ato”, ka thënë zyrtari i LDK’së që foli në kushte anonimiteti për Express, i afërt me kampin e Fatmir Sejdiut.
Rastin e djegies së fotografive të Rugovës dhe Sejdiut, policia e ka evidentuar, por nuk ka njoftuar për ndonjë të dyshuar apo të arrestuar.
Sido që të jetë, LDK’ja zyrtarisht ka reaguar ndaj aktit të djegies së fotografive.
“Meqë selia e LDK’së në kompleksin “Qafa” është e rrethuar nga banesa dhe lokale afariste, gjatë vënies së flakës kanë mundur të rrezikohen jetët dhe pronat e qytetarëve”, thuhet në reagim.
“Lidhja Demokratike e Kosovës e dënon ashpër këtë akt dhe e konsideron si një sulm kundër LDK’së si subjekt politik dhe kundër anëtarësisë e simpatizantëve të saj. Lidhja Demokratike e Kosovës e konsideron këtë akt si një veprim qyqar e të papranueshëm”, vazhdon reagimi.
Më pas njoftohet se Lidhja Demokratike e Kosovës menjëherë ka njoftuar organet e rendit.
“Lidhja Demokratike Kosovës kërkon nga strukturat përkatëse që ta hetojnë deri në fund këtë akt dhe që autorët e tij të zbulohen dhe të përgjigjen para organeve të drejtësisë”, thuhet në njoftim.
Në LDK nuk kanë dashur të japin informacione të tjera për djegien e fotografive të dy ish-presidentëve.
“Krejt janë në komunikatë”, ka qenë përgjigjja e vetme e Zëdhënësit të LDK’së, Fidan Jupolli.
Kryetari i Forumit Rinor i LDK’së, Xhafer Tahiri e ka cilësuar aktin si të shëmtuar, të rrezikshëm dhe qëllimkeq.
“Akti vandal i njerëzve qëllimkëqij”, ka thënë Tahiri.
Ndryshe, në Lidhjen Demokratike të Kosovës vazhdojnë konfrontimet në distancë ndërmjet Isa Mustafës dhe Fatmir Sejdiut. Ky i fundit në një intervistë për RTK’në ka akuzuar se udhëheqësit aktualë të LDK’së kanë ardhur në krye të partisë me ndihmën edhe të kriminelëve.