E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuçi: Do ta bëjmë shumë shpejt një zëdhënës

Atë që e tha javën e kaluar në seancën e Kuvendit për çështjen e zëdhënësit të Qeverisë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi e ka përsëritur edhe të mërkurën pas mbledhjes së Qeverisë. Zëdhënësi i Qeverisë do të emërohet shumë shpejtë, ka qenë përgjigja e njëjtë e Kuçit, i pyetur për emërimin e zëdhënësit.

Por kësaj radhe, i nxitur nga pyetjet e gazetarëve, të cilët kanë thënë se ka zëra që mungesa e zëdhënësit është karakteristikë e sistemeve diktatoriale, Kuçi ka dhënë një përgjigje më direkte për opozitën dhe për gazetarët të cilët, siç ka thënë Kuçi, i përçojnë kërkesat e saj.

“Natyrisht unë kam qejf të dalë në debat me opozitën, kur duan të flasin kështu. Nëse dikush i përçon kërkesat e tyre, unë ju jap përgjigjen edhe atyre. Ajo çka mund të them është se zëdhënësin do ta përcaktojmë shumë shpejt, por mendoj se është nder për secilin vend në botë kur del zëvendëskryeministri. Unë jam më shumë si zëvendës, por zëdhënësin nuk e zëvendësoj unë. Do ta bëjmë shumë shpejt një zëdhënës. Sa i përket sistemeve diktatoriale që mund ta thotë dikush, në Kosovë ka mbaruar logjika e diktaturës për çdokënd dhe të mos qenit në pushtet nuk duhet ta shohë dikush Kosovën zi”, ka thënë Kuçi.

Qeveria e Kosovës që nga fillimi i këtij mandati nuk ka zëdhënës, ndërsa për këtë gazetarët janë ankuar shpesh se mungesa e zëdhënësit krijon mangësi në komunikimin mes mediave dhe Qeverisë së Kosovës.

Kjo çështje është ngritur disa herë edhe në Kuvendin e Kosovës, mirëpo përgjigja e qeveritarëve ka qenë gjithmonë e njëjta.

Zëvendëskryeministri Kuçi disa herë e ka përsëritur se zëdhënësi do të emërohet shpejt, dhe se do të jetë i pranueshëm edhe për gazetarët, por edhe për politikën e Qeverisë së Kosovës. /kp/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›