E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush ka frikë nga Virginia Woolf

Pjesa Kush ka frikë nga Virxhinia Ulf të dramaturgut amerikan Eduard Albit, pritet të jetë gati në javën e parë të muajit nëntor. Kjo vepër vjen në skenë e shqipëruar nga Gjergj Peçi dhe në këndvështrimin e regjisorit të ri, Kushtrim Bekteshi, për të cilin ky është bashkëpunimi i parë me Teatrin Kombëtar Shqiptar.

Ndryshe nga çfarë ishte menduar më parë për angazhimin e Luiza Xhuvanit dhe Ndriçim Xhepës, në këtë dramë do të interpretojnë aktorët Eva Alikaj, Viktor Zhusti, Helidon Fino dhe Eftiola Laçka. Për regjisorin Bekteshi, kjo dramë e Eduard Albit është një nga dramat më të mira të shekullit XX, pasi ajo flet për familjen e për gruan, për pozitat e saj, për konfliktet dhe iluzionet. Kjo pjesë është vënë në shumë skena të botës dhe dallohet për karakteret e saj specifike.

Kushtrim Bekteshi është një regjisor i ri shqiptar në Maqedoni dhe deri tani ka vënë në skenën maqedonase të Teatrit Kombëtar të Shkupit tetë shfaqje. Ato janë Akuariumi nga Refet Abazi (2006), Labirintet e kujtesës nga Avni Halimi (2007) dhe Vojceku nga Georg Byhner (2008), Figaro divorcohet nga Odon von Horvath (2008) Kurthi i vdekjes nga Ira Levin (2009).

Kjo pjesë e shkruar nga dramaturgu i njohur amerikan Eduard Albi, trajton një temë delikate familjare, atë të çifteve pa fëmijë. Pas shkrimit të kësaj drame, autori është vlerësuar me çmimin Pulitzer. Vetë Eduard Albi ka një ndjeshmëri të veçantë në lidhje me temën e trajtuar, pasi që në javën e dytë të jetës, ai është birësuar nga një çift njujorkez, të cilët nuk mund të kishin fëmijë dhe i kanë dhënë atij gjithë përkushtimin e tyre.

Asnjëherë Eduard Albi nuk është vënë në kërkim të prindërve të tij biologjikë, duke respektuar njerëzit që e kanë rritur. Prindërit e tij birësues gëzonin një reputacion të mirë në sferën artistike, pasi ata kishin një kompani teatrore. Falë këtij biznesi familjar, Eduardi u pasionua me teatrin që në moshë të vogël, por asnjëherë nuk arriti të përmbushte kërkesat dhe pritshmërinë që kishin prindërit e tij për të. Pas shumë përpjekjesh, suksesi për të erdhi menjëherë pas vënies në skenë të dramës Kush ka frikë nga Virxhia Ulf, në vitin 1962, dhe pas shumë debatesh e diskutimesh ai u vlerësua dhe me çmimin Pulitzer.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›