E Shtunë, 31 Tetor 2026

Puthmë... dhe kam për të ta copëtuar shpirtin

Perla të arkivit të kinemasë


"Djalli është grua" një film i vitit 1935 i regjisorit Josef von Sternberg, prodhim i Paramount Pictures, bardhezi, 80 minuta, shfaqet për herë të parë nesër në mbrëmje, ora 19.00 në kinemanë e Akademisë "Marubi".


Është i fundit nga shtatë filmat që ka realizuar regjisori amerikan me origjinë austriake, me protagoniste legjendën e ekranit të para Luftës së Dytë Botërore, Marlene Dietrich (Konça Perez). Skenari u shkrua nga shkrimtari amerikan, John Dos Passos, bazuar në romanin "Gruaja dhe kukulla" të Pierre Louys.


Dietrich është rolin e gruas që thyen zemrat e burrave, të një luftëtari të ri për liri dhe të një kapiteni të pasur. Stilizimi jashtëzakonisht i pasur i von Sternbergut dhe gjithë elementët e tjerë filmikë, që nga strukturat e brendshme të pamata te fotografia e shkëlqyer bardhezi, e bën filmin një spektakël të pakrahasuar me asnjë nga regjisorët e Hollivudit të vitit '30. Pavarësisht nga përhapja e befasishme e vizionit të regjisorit, filmi ishte një dështim për producentët, edhe Dietrich dhe von Sternberg kurrë më nuk do të punonin së bashku.


Karriera e von Sternberg nuk do të prekte kurrë më majat marramendëse të barokut të "Djalli është grua" (The Devil is a Woman), megjithatë fama e Dietrich-ut, si një superyll ishte tashmë e garantuar. Interpretojnë Cesar Romero në rolin e Antonio Galvanit dhe Lionel Atwill në rolin e Don Paskuales.


Prezantimi i kësaj drame-romancë te "Marubi" do të bëhet nga Thomas Logoreci, programues festivalesh që vjen nga Amerika. Ai ka rrënjë shqiptare dhe është i angazhuar me programin e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë që këtë vit pritet të mbahet në fund të nëntorit.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›