E Shtunë, 31 Tetor 2026

Keats vdiq për fajin e mjekut

Në moshën 25 vjeçare, John Keats llogariste tashmë me vetëdije klasike shkuarjen e pashmangshme kah vdekja që brenda pak muajsh do ta bënte të pavdekshëm përjetësisht, ashtu të ri si fëmijët protagonistë të poemës së tij Ode një urne greke.

Megjithatë, poeti më reprezentativ i poetëve romantikë anglezë do të kishte mundur të jetonte më gjatë, bile ndoshta do të ishte shëruar krejtësisht sikur mjeku James Clarke të mos ishte vonuar ti njihte në të simptomat e tuberkulozit. Sipas hulumtueses britanike Sue Brown, që sapo ka publikuar biografinë e artistit Joseph Severn, mik vëllazëror i Keats-it, u deshën disa javë në mënyrë që doktori të vinte në përfundimin se ajo që po e brente autorin e Endymion nuk ishte një sëmundje e thjeshtë barku.

«Clarke përdori trajtime që e bënë agoninë e Keats më të dhimbshme se sa që duhej të ishte » pohon Brown. Poeti, që ishte laureat në mjekësi, e nuhaste arsyen e spazmave, edhe ngase kishte parë të binte viktimë e tbc-së nënën dhe vëllanë Tom. Severn, që i kishte qëndruar pranë deri në çastin e fundit, tregon se si kërkonte më kot Laudanum, në përzierje heroine dhe opiumi, për ta fashitur vuajtjen dhe jetën e tij të shkurtër. Po eutanazia nuk ishte ende një ledh ndarës social dhe mjeku, që më vonë do ta kuronte mbretëreshën Viktoria, veproi sipas kokës së vet, duke e bërë të agjërojë dhe duke i marrë gjak vazhdimisht.

John Keats vdiq më 23 shkurt 1821, tepër i brishtë tashmë për ta luftuar sëmundjen që, duket, ia kishte pamundësuar ta linte në rend të dytë pasionin për Fanny Brawne, një dashuri e papërmbushur, objekt i filmit të ri të Jane Champion, Bright Star, dhe simbol i melankolisë ekzistenciale shkruar në gurin e varrit në varrezën protestante në Romë: «Here lies one whose name was writ in water», këtu prehet një njeri emri i të cilit është shkruar mbi ujë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›