E Diel, 1 Nëntor 2026

Në tokën e askujt

Numri trembëdhjetë për shumëkënd duket si numër fatkeq, që të sjell ters. Për shkrimtarin Bajram Sefaj nuk duket i tillë. Ai më herët ka botuar librin e tij të trembëdhjetë me një titull latinisht Terra nullius që në shqip i bie të jetë Toka e askujt.
Ky libër u promovua në Bibliotekën Kombëtare dhe u vlerësua si një roman i arrirë jo vetëm i autorit por edhe i letërsisë shqipe.

Nexhat Halimi, poet dhe kritik, u shpreh se Terra Nullius apo Toka e askujt është një shkrim ndryshe, një antiroman, me frymëmarrjet e një personazhi i cili i lidh detajet, dromcat, ngjarjet e vogla, për të bërë një kolazh. Ai tha se romani, antiromani, shkrimi ndryshe i Bajram Sefajt, është fund e krye një jetëshkrim, një ditar, një copëz e jetës e transformuar me sukses në shkrim letrar.

Secila germë, fjalë apo fjali në këtë prozë të gjatë, pa lidhje të caktuar, me plot prerje, harrnime, kërcime, ndërhyrje fragmentare por edhe të rrumbullakuara, mjaft të realizuara, herë-herë në tërësi të vogla brenda tërësisë e ka një qellim, të tretë të kaluarën, sidomos ngjarjet nëpër të cilat kalon njeriu, krypersonazhi, pra Bajram Sefaj, autori, i cili në shkrimin e vet mendoj se është qind përqind autobiografik, tha Halimi.

Sipas tij, ky roman flet për jetën dhe cikërrimat e saj, të cilat e përbëjnë atë jetë që na takon. Në këtë mënyrë, theksoi Halimi, lexuesi bëhet pjesë e shkrimit, i përjeton gjërat, të cilat radhitën njëra pas tjetrës.

Referuesi tjetër, Abdullah Konushevci, theksoi se Terra nullius si titull i romanit rrjedh si shprehje a togfjalësh nga e drejta romake për të përshkruar tokën që nuk i takon askujt. Romani ose me drejt antiromani me elemente të një mataromani ngushëllon me një lirizëm kur e kur shumë të hollë, që i jep një përmasë të ndjeshme poetike, përgjithësuese e abstrakte, tha Konushevci.

Ai shtoi se është interesante se brezi i Bajram Sefajt, në mungesë të literaturës në gjuhë shqipe dhe të huaj, bie në sy me një shkallë të lartë të librofilisë.

Poeti Gani Xhafolli tha se ky artist i përveçëm nuk shkruan mirë. Ai shkruan tmerrësisht bukur, vazhdoi ai.

Sipas Xhafollit, tek Borhesi, Funesi është njeriu i kujtesës, është një metaforë e gjatë e pagjumësisë. Ndërsa në prozën brilante me shumë ngjyra të dhimbjes ndihet aroma e dheut. Ai shtoi se në këtë prozë Bajram Sefaj ka krijuar olimpin e vet artistik.

Ky roman plotë dallgë oqeanike nuk e ka personazh vetëm Ndreun, që është hija e maestros së katundit të ri, tek buzëqeshjet e burimit të Drinit të bardhë. Por janë edhe koha, mërzia, frika, ikja nga çizmet, mërgimi, dhimbja, vetmia, sheqeri i zi, ndjekja, pritja. Bajram Sefaj është një alkimist që kërkon të largohet nga klishetë sepse ka kaluar koha. Është një asket që rri zgjuar pranë ilaçeve duke pritur mëngjesin për ti mbledhur të gjitha kujtimet në një valixhe. Kjo është pavarësia universale, kur shkrimtari gjendet përballë vetes, domethënë përballë shqetësimeve dhe tokës së askujt, tha Xhafolli.

Tomë Palokaj, gazetar dhe shkrimtar nga New Yorku, shpaloi disa dromca të kujtimeve gjatë vizitës që Sefaj e kishte pasur në New York. Ndërsa kritiku Prend Buzhala tha se në letërsinë botërore temat e tilla janë të njohura kur tematizohet procesi krijues, drama e krijimit apo vuajtjet e krijimit.

Në qoftë se ju kam mundu me 220 faqe, nuk e kam ndërmend të ju mundoj me fjalim të gjatë. Fjalët që i thanë oratorët nuk e di kujt i drejtoheshin, ishin fjalët që në fund i tha vet autori, Bajram Sefaj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›