Kush mund të zotërojë gazsjellësit e Europës?
Nga Bernd Riegert
Koncerni rus, Gazprom duket se i ka ofruar koncernit energjetik gjerman, RWE, partneritet në projektin e gazsjellësit italiano-rus "South Stream", duke minuar kështu projektin evropian të gazsjellësit Nabucco. Shefi i gjigantit energjetik, Jürgen Großman, sipas një rapotimi të gazetës "Handelsblatt", bëri të ditur se RËE do t'i qëndrojë angazhimit të saj si partnere e gazsjellësit Nabucco. Ky gazsjellës do të zgjerojë spektrin e burimeve të gazit dhe, në plan afatgjatë, do të pavarësojë furnizimin energjetik nga Rusia. Gazprom, monopolisti rus, do të arrijë që të fusë si partner koncernin RWE në projektin e ngritjes së gazsjellësit jugor, “South Stream”, me të cilin do të transportohet gazi përmes Detit të Zi në Bullgari, më pas në Evropën Juglindore. Konkurrencë ofron konsorciumi i drejtuar nga firma austriake OMV, me gazsjellësin Nabucco, i cili kalon përmes Azisë Qendrore në Turqi dhe pastaj në Evropë.
Nabucco pa furnitorë
Gazsjellësi Nabucco nuk do të shfrytëzojë burimet ruse të gazit. Për udhëheqjen ruse, të lidhur ngushtë me Gazpromin, ky është “halë në sy”. Megjithatë, Nabuco, ku merr pjesë edhe koncerni gjerman RËE, nuk ka kontrata të rezistueshme me vendet aziatiko-qendrore. Negociatat me Irakun dhe Iranin aktualisht nuk po rrjedhin siç pritej. Ndërkohë, Rusia përpiqet, përmes kontratave që iu ofron furnizuesve potencialë, t'i zërë rrugën pronarëve të Nabucco-s. Në rast se Gazpromi ia del të shkëpusë koncernin RWE nga klubi i Nabucco-s, kjo dotë thoshte goditje e rëndë për projektin i cili financohet nga Komisioni Evropian në Bruksel.
Nabucco - i pasigurt
Komisari për energjinë në BE, Günther Oettinger tha për radion gjermane “Deutschlandfunk” se: "Nabucco është një shans, por nuk është i sigluar. Bëhet fjalë për shumë miliarda që duhet të investohen në fushat e gazit, në rrjetin e linjave të furnizimit nga Austria përmes shteteve anëtare të projektit si Turqia, Gjeorgjia në Azerbajxhan. Bëhet fjalë për shumën e nevojshme prej 30 miliardë metër-kub në vit, të cilat nuk i plotësonte Azerbajxhani. Kjo do të thotë se ky projekt është një ngrehinë komplekse, por do të ishte në interes të BE-së dhe shanset janë të mira."
BE me burime të tjera
Komisioni i BE-së pret që firmat pjesëmarrëse në projekt deri në fund të vitit të sqarojë nëse dhe kur do të mund të fillojnë me ndërtimin e gazsjellësit. Deri më tani furnizimet e para përmes Nabucco-s janë parashikuar në vitin 2014 ose 2015.
Rusia dhe Gjermania po ndërtojnë aktualisht gazsjellësin “Nord Stream” që kalon nëpër Detin e Veriut. Një pjesë e këtij gazsjellësi do të jetë gati vitin e ardhshëm. Rusia, më pas, mund të furnizojë Evropën me gaz pa kaluar nëpër vendet transite; si Ukraina apo Bjellorusia. Në tregun botëror të gazit ka lëvizje, pasi Evropa po merr gjithnjë e më shumë gaz të lëngshëm përmes transportit me anije. Çmimet e gazit po ulen, gjë që mund të dobësojë pozicionin rus. Pokeri për gazin luhet nga ish-anëtarë të qeverisë së atëhershme të koalicionit socialdemokrat-të gjelbër. Rusia ka siguruar bashkëpunimin e ish-kancelarit, Gerhard Schröder, i cili është mik i ngushtë i kryetarit të bordit të RWE, Jürgen Großmann. Ndërsa ish-ministri i Jashtëm i kabinetit të Schröder-it, Joschka Fischer bën lobing për projektin evropian, “Nabucco”.
Marrë nga Dojçe Vele
16 Korrik 2010