E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA-BE, dashuri e zbehur



The Times

Në korrik të vitit 2008, në Berlin, Evropa kishte rënë në dashuri, në atë kohë me kandidatin presidencial, Barak Obama. Kandidati presidencial, nga radhët e demokratëve, atëherë kishte folur për Irakun dhe Afganistanin dhe për atë sesi Amerika kishte humbur rrugën. Këtë retorikë të re të Obamës, Europa e kishte krahasuar me heqjen dorë nga unilateralizmi i kohës së kaluar.
Por, çfarë ndodhi ndërkohë me këtë dashuri? Manuel Baroso, kryetar i Komisionit Europian, artikulon frikën se presidenca Obama mund të jetë “rast i lëshuar” dhe se raportet trans-atlantike “nuk janë në nivelin e potencialeve”.
Ky vlerësim befason, ndonëse administrata amerikane nuk është ajo që e kishte pritur Evropa. Nevoja për ndryshimet klimatike nuk ka çuar drejt aksionit; Guanatanamo mbetet çështje e hapur; nuk ka paqe në Lindjen e Mesme dhe ka pak dëshmi për ndryshimin e drejtimit në Irak dhe Afganistan.
Ndërsa për shumicën e Evropës, presidenti Bush ishte djall, presidenti Obama është bërë justifikim i çuditshëm i një engjëlli. Në çështjet ekonomike, Obama, në mënyrë të arsyeshme, ka qëndrim të matur ndaj Europës, sepse zhvillimet në ekonominë europiane dhe, para së gjithash, deficitet buxhetore, rrezikojnë një tjetër recesion.
Lidhjet e fuqishme me Evropën janë vitale për një president të fuqishëm. Ronald Regan dhe Margaret Theçer kishin një raport të fuqishëm politik dhe personal, ashtu si Bill Klinton dhe Toni Bler.
Presidenti Bush, me gjithë antagonizmat që kishte nxitur te europianët, ishte ngulmues në kultivimin e raporteve në nivel qeveritar dhe jo vetëm me Toni Blerin, por, gjithashtu me Nikolas Sarkozin, Silvio Berluskonin dhe Hoze Maria Aznarin.
Presidenti Obama nuk ka marrëdhënie të tilla dhe nuk duket se i dëshiron ato. Ky është gabim. Për më shumë se gjysmë shekulli, Europa dhe Shtetet e Bashkuara ishin partnerë të natyrshëm.
Aktualisht, Europa ka rol vital në shumë çështje që Obama i synon, nga Irani, çështjet e armatimit, procesi paqësor në Lindjen e Mesme, Kina, ndryshimet klimatike dhe ekonomia globale.
Por, evropianët ankohen se Obama dhe administrata e tij kanë shumë kohë për vendet që shkaktojnë probleme, por pak për ato që janë partnerë. (m. k.)

Marrë nga radio “Europa e lirë”. Titulli është redaksional

16 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›