Patrullimet e përbashkëta Shqipëri-Kosovë, nisin problemet

Në një takim të zhvilluar me krerë të policisë së dy vendeve kryefjala ishin: disiplina, gjobat dhe kualifikimet
KUKËS - Patrullimet e përbashkëta të policisë së Shqipërisë dhe Kosoves në teritorrin e Shqipërisë kanë hasur në problemet e para. Disiplina në zbatimin e orarit të punës, gjobat, por edhe mungesa e kualifikimit të policëve vendas kanë qenë disa nga problemet që kanë dalë.
Dje në qytetin e Kukësit u zhvillua një takim i përbashkët i drejtuesve të policisë së Prizrenit dhe asaj të Kukësit. Në takim morën pjesë drejtues të lartë të qarkullimit rrugor të Drejtorisë së Policisë së Kosovës, drejtori rajonal i Policisë së Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, komandanti i Policisë së Qarkullimit Rrugor për rajonin e Prizrenit, Lulzim Shala etj.
"Kemi rezerva përsa i përket zbatimit të orarit, pasi policët nga Kosova po vijnë me vonesë dhe po ikin më herët se orari i përcaktuar",- u shpreh në këtë takim shefi i Njësisë së Policisë së Qarkullimit Rrugor për qarkun e Kukësit, Alejdin Omuri.
Ndërkohë, komandanti i Policisë së Qarkullimit Rrugor për Prizrenin, Lulzim Shala, deklaroi se policia vendase ka mangësi në njohjen e teknikës bashkëkohore në përdorim të policisë së qarkullimit rrugor. Në patrullimet e përbashkëta është vënë re epërsia e policisë së Kosovës në automjete dhe mjete të tjera logjistike. Kjo polici ishte e pajisur me radarë lazer, ndërkohë që policia e qarkullimit rrugor të Kukësit nuk dinte të përdorte radarët.
Gjithashtu, edhe nga ana profesionale, shumë nga rregullat formale që zbatoheshin nga policët kosovarë me rastin e ndalimit të automjetit, policët vendas nuk i kishin zbatuar ndonjëherë. Përsa i përket gjobave, është vendosur që ato të vendosen në bazë të Kodit Rrugor shqiptar ku gjobat minimale janë të papërfillshme krahasuar me ato të Kosovës.
Gjoba minimale në Shqipëri për kundravajtësit është rreth 3 euro, ndërkohë që në Kosovë është 35 euro. Patrullimet e ndërthurura të policisë së qarkullimit rrugor shqiptar e kosovar në territorin e Shqipërisë kanë filluar më 16 qershor, pas një marrëveshjeje të nënshkruar në Morinë të Kukesit mes drejtorëve të policisë së shtetit shqiptar dhe kosovar. B.Shala