E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush po kthehet?

Deportivo, Eintracht, Torino, Bastia e të tjerë. Kampionë të dikurshëm, klube që fituan trofe shtetërorë dhe morën pjesë në gara evropiane, nga sezoni i ardhshëm sërish do të garojnë në ligat elitare. Disa prej tyre tashmë kanë siguruar promovimin, ka të atillë që vetëm mrekullia mund t’i parandalojë kurse të tretët e shpresojnë.

Në Segunda Division kanë mbetur edhe pesë xhiro deri në fund, por Deportivo La Coruna udhëheq bindshëm në renditje (dy skuadra hyjnë direkt në La Liga). Vetëm mrekullia mund ta ndalë Deportivon nga rikthimi në elitë, ku edhe e ka vendin, nëse shikojmë sukseset e këtij ekipi në 20 vitet e fundit.

Më 2000, Deportivo ishte kampion i Spanjës, kurse pesë herë të tjera përfundoi i dyti. Më 1995 dhe 2002 fitoi Copa del Rey, kurse tri herë Superkupën, pesë herë mori pjesë në Ligën e Kampionëve, ndërsa më 2004 arriti deri në gjysmëfinale. Kandidatët e tjerë që sezonin e ardhshëm mund t’i bashkohen Deportivos në La Liga janë Valladolid dhe Celta Vigo.

Në Championship të Anglisë, Reading para kohës ka siguruar pozitën e parë në tabelë dhe promovimin në Premierligë. Edhe pse pas vetes ka 140 vite të historisë, skuadra vetëm para gjashtë vitesh ka depërtuar në rangun më të lartë ku qëndroi vetëm për dy sezone.

Për ekipin e dytë vendosi xhiro e fundit, të shtunën.

Skuadra tjetër që siguroi promovimin është Southampton, që më 1976 triumfoi në FA Cup, kurse në elitën e futbollit anglez qëndroi për 27 vjet me radhë para rënies në Championship më 2005, ndërsa edhe një nivel më poshtë më 2009. Mirëpo, rikthimi u realizua.

Southampton sezonin e kaluar bëri gara në League One. Edhe Bundesliga 2 ka hyrë në fazën finale. Hyrjen në elitë e kanë siguruar Eintracht Frankfurt dhe Greuther Furth. Eintracht vetëm një herë ka qenë kampion i Gjermanisë, më 1959, por një sezon më pas arriti deri në finale të Ligës së Kampionëve ku u ndesh me Real Madridin.

Katër herë fitoi kupën e shtetit, kurse më 1980 triumfoi në Kupën UEFA. Kurse Furth, është paralagje e Nurnbergut, e skuadra e tij ditët më të suksesshme i shijoi në të kaluarën e largët: ishte kampion më 1914, 1926 dhe 1929, por prej riemërimit të Bundesligës, asnjëherë nuk luajti në elitë. Andaj, ky është një rezultat i madh për futbollistët që luajnë në stadiumin e vogël Trolli Arena me kapacitet prej 15 mijë ulësesh.

Varësisht nga rezultatet e xhiros së fundit, playoffin me ekipin e tretë më të dobët në Bundesligë do të luajnë Fortuna Dusselfort, St.Pauli ose Paderbon. Në Serie B të Italisë i pari është Torino, klub me famë të madhe dhe tifozë të shumtë.

I themeluar më 1906, dhe i ‘ringjallur’ më 2005 pas falimentimit, Torino është klubi i pestë më i trofeshëm në Itali, me shtatë tituj të kampionit në ligë dhe pesë kupa. Së bashku me Torinon, konkurrentët kryesor për hyrje në Serie A janë Verona (kampion më 1985), Pescara dhe Sassuolo, kurse Sampdoria e lavdishme është pranë zonës që siguron playoffin. Në Ligue 2 të Francës kanë mbetur edhe pesë xhiro kurse promovimin praktikisht e ka siguruar Bastia.

Klubi, një pjesë të gjatë të historisë së tij 117-vjeçare e kaloi në elitë, për herë të fundit ishte anëtar i saj para shtatë vitesh. Më 1978, Bastia luajti në finale të Kupës UEFA, kurse tri vite më vonë fitoi Kupën e Francës.

Para dy vitesh kishte rënë në ligën e tretë por po kthehen furishëm. Kandidatët e tjerë për rikthim nga Ligue 2 është Reims, klub legjendar që gjashtë herë ëhstë shpallur kampion, për herë të fundit më 1962.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›