E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Suli pozitiv

Nuk mund të thuhet ende se kjo është zyrtare, por lajmi ka marë dhenë. Njëri nga peshëngritësit më të mirë shqiptarë të viteve 2000 dhe të gjithë historisë kuqezi, Ilir Suli, besohet se ka dalë pozitiv në analizat anti-doping të kryera nga Agjencia Botërore e Antidopingut, WADA. Këto analiza janë kryer përpara Kampionatit Europian që u zhvillua në Antalia të Turqisë, ndërsa nuk dihet nëse ka ndonjë sportist tjetër shqiptar që mund të ketë dalë pozitiv.
Ilir Suli është shpallur nënkampion botëror, nënkampion europian dhe nënkampion i Mesdheut si dhe ka dalë i pesti në Lojrat Olimpike në Sidnei të vitit 2000, duke qenë kjo renditja më e mirë e një shqiptari në Olimpiadë.
Nga ana e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes nuk ka asnjë konfirmim zyrtar, por thuhet vetëm se, në çdo rast, pjesëmarrja e skuadrës shqiptare në Lojrat Olimpike në Londër këtë vit nuk do të jetë e rrezikuar.
Shqipëria do të jetë në Londër me 4 meshkuj dhe një femër. Tek djemtë, në Olimpiadë do të jenë Erkand Qerimaj, Daniel Godelli, Briken Calja dhe Hysen Pulaku, ndërsa tek vajzat do të jetë vetëm Romela Begaj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›