E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Duhen kërkuar nga Italia dëmshpërblimet e luftës

Në vazhdim të asaj që kam shkruar, desha të bëj me dije opinionin se ç’ndodhte me ushtarët shqiptarë gjatë luftës Italo-Greke. Janë me dhjetëra e dhjetëra ushtarë shqiptarë të ekzekutuar nga italianët, ndërsa në buletinin ushtarak të luftës raportoheshin “të vdekur nga të ftohtët apo nga sëmundjet”! Të gjitha këto krime bëheshin me frikën se mos Ushtria Shqiptare dezertonte në masë!

Një ndër këta të ekzekutuar ka qenë edhe babai im, në atë kohë vetëm njëzet e tre vjet! Para disa vitesh, më ka ardhur një përgjigje nga Ministria e Jashtme Italiane, me anë të së cilës vihem në dijeni se nuk kanë shumë të dhëna. Ushtaret tuaj janë gjetur dhe identifikuar nga medalionet dhe numrat e tyre, që mbanin në qafë ushtarët, zotërinj! Më dërgoni numrat e medalionit dhe unë do të filloj të kërkoj vetë. Këta numra, zotërinj të nderuar, janë në arshivat e Ministrisë suaj të Mbrojtjes. Në arshivat e shtetit shqiptar nuk ka asnjë të dhënë për trupat shqiptare. Mobilizimi dhe rekrutimi i trupave shqiptare është bërë me urdhër të Ministrisë së Luftës Italiane të asaj kohe, ndaj edhe listat ndodhen në Ministrinë e Mbrojtjes së shtetit italian.

Konventa e Gjenevës i dënoi Gjermaninë Naziste dhe Italinë Fashiste për të bërë “dëmshpërblimin e dëmeve në njerëz e materiale të viktimave të luftës”! Kur ka ndodhur kjo?! Kurrë! Me sa di unë, shteti gjerman, deri para pak vitesh, me anë të IOM-it, ka vazhduar ndarjen e dëmshpërblimeve të luftës. Ka qenë në të vërtetë një interesim i Ambasadës Italiane rreth viteve 1993-1995 dhe ne kemi paraqitur dokumentacionin që na është kërkuar, por deri sot nuk është bërë asgjë! Ka ardhur koha që shteti shqiptar t’i kërkojë me force palës italiane dëmshpërblimet e luftës! U bëj thirrje gjithë të afërmve të viktimave të bashkojnë zërin me mua për të kërkuar të drejtat tona. Përfitoj nga rasti të bëj një falënderim të veçantë për gazetën “Shekulli”, për hapësirën që na ka dhënë për të shprehur problemet tona !

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›