Hyseni: Nuk lejojmë të rrezikohet sovraniteti
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni deklaroi pas seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB- se Prishtina hedh poshte planin gjashtëpikësh.
Ai nënvizoi se Prishtina nuk e pranon planin gjashtë pikësh të sekretarit të përgjithshëm Ban Ki Mun dhe i bën me dije të gjitha palëve se nuk do të pranojë dhe tolerojë çfarëdo lloj aksioni që e rrezikon integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës.
“Do të bashkëpunojmë ngushtë me forcat ndërkombëtare në Kosovën multietnike dhe demokratike, dhe e kemi thënë qartë se nuk do të lejojmë asnjë lloj aksioni që rrezikon sovranitetin dhe integritetin e Kosovës”, deklaroi shefi i diplomacisë kosovare.
Ai tha se procesi i pavarësisë së Kosovës nuk mund të anulohet dhe se shpreson se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë nuk do të ndikojë në vendet e ndryshme për njohjen e Kosovës dhe përparimin e saj.
“Misioni evropian është krijuar për të vëzhguar implementimin e planit të Ahtisarit, sidomos në planin e respektimit të të drejtave të pakicave”, theksoi Skender Hyseni.(INA)