E Diel, 1 Nëntor 2026

"Të gjorët niviciotë, besuan kur premtoi drejtësi

I nderuar “Shekulli”! Ky është një shembull për të kuptuar të gjithë se nga kush qeverisemi. Është një shembull për të djathtët, që të kuptojnë se nuk po qeverisen nga të djathtë, është një shembull për të gjithë ish-pronarët, që akoma ëndrrojnë në diell se do t’u kthehet trashëgimia e të parëve, por edhe për fukarejntë, që të kuptojnë se nuk po qeverisen nga të ndershmit që gjoja luftojnë korrupsionin.

Dhe ja shembulli: Ç’po ndodh në Kakome? Si ka mundësi të kalojë natën jashtë, në këtë të ftohtë, një fshat i tërë? Gra, fëmijë, edhe pleq madje (se burrat nuk diskutohen), po kujtojnë kohën e luftës me gjermanin, kur flinin jashtë, sepse ruheshin nga armiku. Sot ruajnë “armikun” mos t’u zërë tokën. Po si ka mundësi që protesta nuk pasqyrohet në media?

Mendja me thotë që dikush ka ndëhyrë tek ajo, por mënyrën nuk e di. Sa për informacion, çështja është në gjykatë, atë të apelit, sa për saktësi. Dhe të gjithë e dimë që, përsa kohë çështja të jetë në gjykatë, çdo veprim është i pezulluar. Secila palë mendon se ka të drejtë. Niviciotët kanë dokumente të forta që vërtetojnë pronësinë e fshatit mbi zonën. Firma duhet të presë vendimin e gjyqit për të vazhduar punimet, sepse ndoshta edhe nuk mund t’i vazhdojë më. Por firma këmbëngul t’i vazhdojë punimet menjëherë. Shteti me mjetet e tij duhet të garantojë respektimin e vendimit të gjykatës. Dhe ashtu ndodh. Shteti dërgon aty policinë, por për ironi e dërgon për të “zbutur” niviciotët, dhe jo për të bërë të mundur respektimin e ligjit. Mos vallë mund të kenë ndëhyrë edhe tek shteti?!

Epo, kur kanë ndëhyrë tek media, tek shteti është pak më e lehtë. Po edhe ndërhyrje mund të ketë, derisa shteti hesht. Dhe të mendosh që vetë kryeministri u kishte bërë një vizitë niviciotevë mu në mes të fshatit dhe u kishte premtuar, sidomos për çështjen shumë delikate të Kakomesë. Dhe sot, kryeministri hesht. Madje në fushatën elektorale të 2005-ës, ishte kryetari i republikanëve për vizitë në mes të fshatit, duke premtuar drejtësi për pronarët e tokave, se këtë i thoshte dhe programi i partisë së vet.

Të gjorët niviciotë, i besuan. E drejta e pronës të dhemb, dhe kështu të bën të besosh edhe sharlatanë të tillë, që quhen ministra e kryeministra, e për hir të parasë vrasin gërdecarët me fishekë dollari, i lënë të sëmurët të lëngojnë pa ilaçe, i lënë fëmijët të lexojnë me qiri e në të ftohtë, se nuk ka drita etj., etj., etj. Dhe, më së fundi, me paratë e fundit nga taksat tona, shpërblen policët për të na “zbutur” kur ngremë pakëz zërin për drejtësi.

Që t’i biem shkurt: Niviciotët nuk janë kundër ndërtimit të fshatit turistik. Por gjërat duhen bërë sipas rregullave dhe ligjeve të shtetit dhe jo sipas mënyrës: E zure tokën dje? Ndërtoje sot, se ta legalizoj unë nesër, dhe rregullohemi. Kështu funksionon “e djathta” shqiptare në pushtet, që në vend të mbështesë pronarët në të drejtën e tyre, i shkel me këmbë ata.

Ftoj të gjithë lexuesit të bashkohen në këtë çështje të drejtë, së në shoqërinë tonë, e drejta e një individi çfarëdo, duhet të jetë e drejta e gjithë shoqërisë, e mos të kujtohen kur padrejtësia t’u trokasë në derë, se atëherë do të jetë vonë, dhe ulërima e tyre për drejtësi, nuk do të mbërrijë deri tek veshët tanë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›