Pritja e kotë për ngopjen e hajdutëve në politikë
Konica dikur ka thënë: “Në qoftë se e papritura ngjet, në qoftë se Shqipëria (fjalë fatale) vdes, aherë mund pa çpifje të shkruajmë këto fjalë në gur të varrit të saj: u ngjall nga idealistët, u ruajt nga rastet, u vra nga politikanët”.
Më kujtohet kjo frazë sa herë dëgjoj njerëz që thonë se duhet t’i kalojmë këto faza politike me korrupsion e drama, sepse kështu i kanë kaluar të gjithë. Në thelb duan të thonë që, le t’i lëmë këta të vjedhin, sepse pasi të majmen, atëherë do të kthejnë sytë edhe nga të tjerët. Jo mor miq. Nuk ka majmje e ngopje në të vjedhur. E nëse mendoni që politikanë të korruptuar paska vetëm në këtë periudhë të Shqipërisë, gaboheni. Noli thoshte: “…në Shqipëri sot janë fatkeqësia e vendit disa krimba të verdhë, të cilët lëvrijnë në trupin e kalbur të atdheut dhe thithin gjithçka, vjedhin paratë e njerëzve, paratë e shtetit, përpinë gjithçka se janë krimbat e pangopur të korrupsionit.’’
Pra, ka pasur gjithmonë hajdutë e ngopje nuk ka pasur. Ka pasur pra politikanë të korruptuar dhe do të ketë akoma në rast se ne si shoqëri vazhdojmë të jemi hipokritë dhe puthadoras.