E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvaret gruaja, kapet i shoqi

 

TIRANE - Policia arrestoi dje një 44-vjeçar nga Bathorja, i cili akuzohet se ka shtyrë gruan e tij në vetëvrasje. Besnik Hasa, 44 vjeç, ra në pranga me akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes. Tri ditë më parë, bashkëshortja e tij E. Hasa, 27 vjeçe, nënë e tre fëmijëve, është gjetur e vetëvarur në dhomën e saj. Vetë i arrestuari e ka gjetur bashkëshorten të varur në shtëpi, ndërsa vetëm pak orë më parë ata kishin debatuar mes tyre, e madje gruaja sipas policisë ishte dhunuar nga i akuzuari. Shkak për konfliktet dhe grindjet mes tyre, sipas burimeve të policisë ka qenë xhelozia e vazhdueshme e Besnik Hasës, i cili dyshonte se bashkëshortja e tij e dytë kishte një lidhje jashtë martesore. Më parë çifti, sipas burimeve të policisë, ka pasur grindje të vazhdueshme pikërisht për këtë shkak. Madje mësohet se policia kishte plotësuar edhe një urdhër mbrojtjeje, që në fakt nuk e ndihmoi shumë për të shpëtuar.  d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›