E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takim me ish-prokurorin tim



I ftuar në një konferencë të organizuar nga Universiteti Europian e Tiranës, Qendra Shqiptare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës si dhe nga Institucioni i Avokatit të Popullit, me temë: "Shqipëria pa torturë", vendosa të marr pjesë, pasi më intrigoi një nga temat që do të mbahej nga Avokati i Popullit "Veprimtaria e Avokatit të Popullit në mbrojtje të të drejtave të të persekutuarve politikë nga regjimi komunist". Kur arrita në hollin e këtij universiteti, konferenca sapo kishte filluar. Nxitova dhe hyra në sallën ku pa zhvillohej dhe u ula ne një karrige në fund të sallës për të ndjekur punimet e kësaj konference. Dikush më njohu dhe më ftoi të ulesha në krye tryezës dhe pasi më prezantuan para auditorit duke thënë se "është kënaqësi që na nderon me pjesëmarrjen e tij Z. Bedri Blloshmi, vëllai poetit të pushkatuar nga regjimi komunist Vilson Blloshmi. Në sallë pati një lëvizje si gumëzhitje, sidomos nga ana ku ishin ulur përfaqësuesit e Avokatit të Popullit. Një person i ulur andej nga fundi i sallës, i kollarisur dhe me flokë të krehura komunistçe u ngrit dhe vjedhurazi doli nga salla. Mu duk se atë person kishte vite që e kisha njohur dhe fillova të mendohem se ku mund ta kisha takuar. Por, papritmas dikush që ishte ulur pranë meje më thotë me zë të ulët, ai për të cilin po mendohesh ishte Petrit Azemaj, hetuesi juaj.

Përpara syve mu shfaqën rrufeshëm të gjitha torturat që ai dhe shefat e tij kishin bërë mbi mua dhe vëllain tim. Në këtë konferencë nuk shkova për të takuar Petrit Azemajn, por shefin e tij, Avokatin e Popullit Ermir Dobjani, sepse Petrit Azemaj shërbëtor i bindur i xhelatëve të diktaturës ka qenë dhe do të mbetet gjithë jetën.

Pasi mora fjalën, duke shprehur mendimet e mia për temat që u diskutuan, para studentëve të Universitetit Europian të Tiranës, denoncova Avokatin e Popullit Ermir Dobjani, se institucionin që drejton, e ka kthyer në një fole kriminelësh dhe persekutorësh që kanë lyer duart me gjakun e viktimave të pafajshme, të arrestuar, hetuar, torturuar, dënuar dhe ekzekutuar për motive politike. Për këtë arsye, ky "Avokat Populli" nuk ka të drejtë morale dhe njerëzore për të trajtuar të drejtat e viktimave të regjimit më të egër komunist të Evropës, të cilit i ka shërbyer me devotshmëri gjithë jetën dhe vazhdon t'i shërbejë edhe sot e kësaj dite. Pa përfunduar fjalën time dikush përballë meje më ndërpreu dhunshëm, duke më akuzuar se unë, sipas tij, duke denoncuar xhelatët e diktaturës po bëja luftë klasash. Ishte në një moshë të re dhe u prezantua si përfaqësues i Avokatit të Popullit. Pra shkurt ai mbrojti me fanatizëm shefat e tij, xhelatët e diktaturës komuniste.

Natyrshëm më lindën disa pyetje. Kush punon në atë Institucion? Kush i ka përzgjedhur? A kanë lidhje me diktaturën? Po vetë shoku Dobjani ku ka punuar gjatë diktaturës? A ka marrë pjesë ai, në arrestimin, hetimin, torturimin, gjykimin, dënimin dhe ekzekutimin e shqiptarëve të pafajshëm me të vetmin qëllim për t’i shërbyer me devotshmëri diktaturës komuniste shqiptare? A ka xhelat të tjerë në institucionin që ai drejton etj?

Unë kam vite që shkruaj dhe denoncoj publikisht jo vetëm xhelatët që kanë arrestuar, hetuar, gjykuar, torturuar, dënuar dhe ekzekutuar në mënyrën më barbare mua dhe familjarët e mi, por edhe të gjithë hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët që kanë masakruar barbarisht bashkëvuajtësit e mi. Ky është qëllimi im i jetës.

Pas disa hulumtimesh mësova se ai, përfaqësuesi i Avokatit të Popullit, që mbrojti me fanatizëm shefat e tij ishte pjellë e komunizmit dhe quhej Ervin Karamuça dhe që nga krijimi i Institucionit te Avokatit të Popullit, sapo ka përfunduar studimet është rekrutuar në atë institucion, sepse është i biri i një ish-prokurori të diktaturës komuniste dhe dhëndri i Fehmi Avdiut, gjyqtarit që në vitin 1988 dënoi dhe ekzekutoi me varje poetin dhe bashkëvuajtësin tim Avzi Nela...

... Ky, Petrit Azemaj që u largua si mi kanalesh nga konferenca "Për një Shqipëri pa torturë". Në vitin 1976 ka filluar punë si hetues në Degën e Brendshme në Librazhd. Shef i tij në atë kohe ishte një ish-oficer i Shkollës së Bashkuar i përjashtuar për vjedhje nga shkolla, por meqenëse ishte familje komunistësh dhe kishte prirje për xhelat, e bënë komunist dhe shef hetuesie në Librazhd, quhej Selim Caka. Petrit Azemaj dhe Sulo Ymeri, nën urdhrat e ish-kryetarit të Degës, Merdar Hasajt, sekretarit të Partisë të Degës së Brendshme, Hekuran Rrezha, si dhe nën drejtimin e shefit të hetuesisë, Selim Caka, në një kohë rekord, në bodrumet e nëndheshme të degës sajuan një zyrë hetuesie përballë birucave, për Gencin, Vilsonin dhe për mua. Në atë zyrë të nëndheshme ku kishte një tavolinë dhe karrige të betonuara, këta kriminelë të regjur na kanë torturuar barbarisht për net të tëra.

Nga kjo zyrë, dera e së cilës ishte e veshur me sfungjer e beze nga brenda, sado që të thërrisje dhe të ulërije nga torturat qe bënin mbi ne Selim Caka, Petrit Azemaj etj., asgjë nuk dëgjohej në korridor. Këtë qeli zyre, Petrit Azemaj e njeh shumë mirë pasi aty, ai bashkë me Selim Cakën, Pjetër Ndrecën etj., kanë ushtruar dhunë dhe tortura çnjerëzore ndaj disa bashkëvuajtësve të mi. Lind natyrshëm pyetja: A kanë të drejtë morale dhe ligjore Ermir Dobjani dhe Petrit Azemaj të flasin dhe të mbajnë leksione para studentëve të drejtësisë të Universitetit Europian të Tiranës kundër torturës dhe trajtimeve çnjerëzore? Studentët le ta gjykojnë.

Në institucionin që drejton shoku Ermir Dobjani ka edhe shumë kriminelë të tjerë të cilët do t'i analizojë në një shkrim tjetër, por me këtë rast i drejtohem Presidentit të Republikës, z. Bamir Topi, si dhe Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, znj. Jozefina Topalli që të marrin masa të menjëhershme, për të larguar këta persekutorë gjakatarë nga ky institucion dhe pastaj institucioni i Avokatit të Popullit të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë, përfshi edhe viktimat e regjimit komunist, të cilët kanë shumë nevojë.

Si mund t'i drejtohemi unë dhe bashkëvuajtësit e mi këtij institucioni, kur sapo afrohemi për të paraqitur ankesat dhe pretendimet tona, për të kërkuar rivendosjen në vend të të drejtave të shkelura përballemi me Petrit Azemajn dhe disa persekutorë të tjerë. Në një fletë-palosje të shpërndarë nga Avokati i Popullit në kopertinën e parë shfaqet si dikur fytyra e tmerrshme e Petritit të partisë, sadistit dhe persekutorit të bindur. Më e bukura e kësaj flete–palosje, është fjalia e fundit me të cilën ai u drejtohet shqiptarëve "Duke uruar që ju të mos keni nevojë për ndërhyrjen tonë", edhe unë i lutem zotit që shqiptarët të mos kenë nevojë për të kërkuar ndihmë në këtë fole persekutorësh të regjimit më gjakatar që ka njohur Evropa në shekullin e 20-të.

Ne, një grup të persekutuarish politikë të regjimit komunist po krijojmë një grup nismëtar dhe së shpejti do të organizojmë protesta demokratike përpara këtij institucioni dhe do të kërkojmë largimin e persekutorëve tanë nga të gjitha institucionet Kushtetuese, duke filluar nga Institucioni i Avokati i Popullit.

Shënim: Shkrimi botohet me shkurtime

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›