E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE-ja do të punojë për avancimin e procesit të liberalizimit të vizave

Ministri i Jashtëm spanjoll, Miguel Moratinos


Pas mbylljes së takimit të nivelit të lartë në Sarajevë ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, ministri i Jashtëm spanjoll, Miguel Moratinos vendi i të cilit ka presidencën e radhës të Unionit, ka deklaruar se e ardhmja e rajonit është në familjen e vlerave evropiane. Moratinos u ndal te liberalizimi i vizave, duke theksuar se ky është një zhvillim pozitiv, i cili duhet të inkurajojë autoritetet shqiptare, për realizimin e plotë të kushteve. “Shumë shpejt Shqipëria e Bosnje Hercegovina do të udhëtojnë pa viza. Ky është një zhvillim pozitiv dhe është miratuar sepse këto dy vende kanë plotësuar standardet. Heqja e vizave do të ndodhë shumë shpejt, do të ndodhë brenda këtij viti. Më në fund ju arritët atë që kërkonit. Propozimi do të kalojë në Parlament dhe më pas në Këshillin e Evropës. Më duhet të theksoj se kur Komisioni thotë ‘Ok’ nuk ka ndodhur që Parlamenti të thotë ‘Jo’. Në të kaluarën kur janë trajtuar çështje të ndryshme, kur Komisioni jep dritën e gjelbër, nuk ka ndodhur që Këshilli apo Parlamenti Evropian ta kundërshtojë, të thotë ‘Jo’”, u shpreh Moratinos. Lidhur me integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, Moratinos tha se Brukseli do ndikojë në avancimin e procesit. “Ne duhet të ecim edhe më shumë përpara. Ne duhet të kemi angazhim për gjithë rajonin dhe përgjegjësi për të gjitha palët. BE do punojë për të avancuar për procesin e negocimin. Duhet angazhim nga Ballkani Perëndimor për të zbatuar reformat që kushtëzojnë hyrjen në BE. Dhe angazhimi i tretë ka të bëjë me faktorin ndërkombëtar që duhet të na mbështesë për rimëkëmbjen e Ballkanit Perëndimor”, deklaroi më tej, ministri i Jashtëm spanjoll, Miguel Moratinos.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›