E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kushtet e Edi Ramës, taktike e re e strategjisë së vjetër, për bllokimin e procesit të integrimit”

28-09-2011 / Gazeta 55

Analistët komentojnë “paktin” më të fundit të propozuar nga kreu i PS-së

Analisti Artan Hoxha vlerëson se pakti i propozuar nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, më shumë se një ofertë për zgjidhje, duket se është një taktike e re e strategjisë së vjetër të tensionit, për ngecjen e fajit në dështimin e radhës së proceseve integruese.
Në një analizë të tij për paktin e propozuar nga Rama pak ditë më parë, Hoxha gjykon se ky dokument përmes 10 pikave programore rreket të shprehë “angazhimin e opozitës për një proces konsensual mbi një vizion të përbashkët integrues”.
“Platforma përmban lëndë të parë të mjaftueshme për një fillim kthese. Por, që të mundësohet arritja e gjendjes konstruktive, secila nga palët duhet të plotësojë disa kushte të domosdoshme, të përmbledhura në pesë JO-të për opozitën: i) jo dhunë; ii) jo bojkot; iii) jo destruktivitet, as obstruktivitet; iv) jo epitete për regjime fashiste, mafioze a familjare; v) jo mosnjohje të humbjes elektorale; dhe pesë JO-të për maxhorancën: i) jo provokim, ii) jo padurim; iii) jo mosbesim; iv) jo destruktivitet, as obstruktivitet; v) jo epitete për opozitë mafioze apo të shthurur”.
“Sipas këtij modeli, mjafton që njëra nga palët të mos plotësojë një nga kushtet dhe efekti domino e risjell bashkëveprimin politik në konfliktin e thellë të provuar prej dy vitesh. Asnjëra nga palët nuk i ka plotësuar këto kushte. Secila prej tyre ka bërë diçka, aspak mjaftueshëm, në plotësimin e tyre. Çështja është nëse do vazhdojnë rrugën drejt plotësimit gradual apo do të mbesin në vend. Nuk kam asnjë iluzion se plotësimi i këtyre kushteve do të mund të bëhet në kohë të shkurtër”, thotë analisti Hoxha.
Ai gjykon se shanset për shndërrimin e platformës opozitare në kthesë vendimtare janë të pakta.
“Ndaj më shumë se një ofertë për zgjidhje, platforma duket se është një taktike e re e strategjisë së vjetër të tensionit e mposhtjes së kundërshtarit. Një taktikë për ngecjen e fajit në dështimin e radhës së proceseve integruese”, thotë Hoxha.
Sipas tij, reagimi publik maxhoritar pas shpalljes së platformës flet për një shkallë të lartë mosbesimi të maxhorancës ndaj saj. Për rrjedhojë, shumica nuk do ta hajë karremin opozitar e do të sillet në mënyrë simetrike. Rezultati pozitiv do ishte përsëri me shanse të pakta, e fajtore do të mbetej opozita. Shkurt, në të gjitha kombinimet, shanset për dalje nga kriza janë tepër, tepër të vogla. Më tepër gjasa do të kishte kthimi në gjendjen e konfliktualitetit.
Por, vijon Hoxha, kjo nuk do të thotë të heqim dorë. Përkundrazi, sa më të pakta shanset, por jo zero, aq më të shumta duhen përpjekjet për kthesën pozitive.
Maxhoranca nuk duhet ta hedhë tej platformën opozitare. Besimi deri në provë të kundërt është domosdoshmëri. Nëse ka pika që nuk i kupton e ka dyshime, le të kërkojë sqarime. Me durim! Opozita nuk duhet të kërkojë me kokëfortësi pranimin në total të të 10-të pikave. Ato janë hartuar në mënyrë të njëanshme dhe nuk ka se si, edhe në një situatë besimi të plotë, të jenë tërësisht të pranueshme nga pala tjetër. Maxhoranca dhe opozita duhet të ulen së bashku. Është e udhës t’ia nisin nga puna me pikat për të cilat bien dakord më lehtë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›