Rama takon aleatët, gati për protesta
Kryetari i PS-së, Edi Rama, zhvilloi dje një takim me aleatët. Gati për bashkëpunim edhe me parti të spektrit të djathtë, që ndajnë të njëjtin qëndrim për zgjedhjet
"Në ditët e para të nëntorit, qytetarët do të dalin në sheshe për të protestuar ndaj asaj që konsiderohet si tjetërsim i vullnetit të zgjedhësve"
TIRANË - Opozita bëhet gati për protesta popullore. Me përfundimin e zgjedhjeve në selinë rozë dhe në rast të rikonfirmimit të Edi Ramës në krye të PS-së, partitë opozitare me qeverinë "Berisha" pritet të radikalizojnë qëndrimin e tyre ndaj institucioneve që prodhuan zgjedhjet e 28 qershorit, dhe përveç bojkotit parlamentar, të kalojnë edhe drejt protestave qytetare.
Ky mësohet të ketë qenë përfundimi në të cilin kanë arritur krerët pesë partive, që ishin në koalicionin zgjedhor "Bashkimi për Fitore", Edi Rama, Skënder Gjinushi, Paskal Milo, Vangjel Dule dhe Erion Veliaj, pas një takimi të zhvilluar dje pasdite në selinë e Partisë Socialiste.
Takimi
Pas takimit informal që zhvilluan me rastin e 67-vjetorit të mbajtjes së Konferencës së Pezës, kryetari i Partisë Socialiste ka thirrur dje në një takim të dytë të gjithë aleatët e vet, me të cilët dhe garoi në zgjedhjet e 28 qershorit.
Megjithëse me dyer të mbyllura, është mësuar se biseda e zhvilluar mes tyre ka qenë pikërisht situata politike dhe vijimësia e qëndrimit të këtyre forcave karshi rezultatit që prodhuan zgjedhjet parlamentare të qershorit të shkuar.
Pasi kanë diskutuar rreth qëndrimit që ka mbajtur mazhoranca ndaj kërkesave që ka vendosur opozita si kushte për t'u kthyer në Kuvend, aleatët e majtë kanë ndarë të njëjtin qëndrim për të vijuar me bojkotin e Kuvendit dhe kushtëzimin e marrëdhënieve me të gjitha institucionet që dolën nga vota e 28 qershorit.
Megjithatë, duket se bojkoti i Kuvendit nuk do të jetë e vetmja lëvizje e këtyre forcave, pasi siç mësohet nga burime nga ky takim, është rënë dakord për një radikalizim të mëtejshëm të qëndrimit opozitar ndaj kësaj çështjeje.
Kështu, konfirmohet se të pestë aleatët kanë rënë parimisht dakord, që në rast se Rama do të rizgjidhet kryetar i PS-së, atëherë këto forca, por jo vetëm, do të marrim masat që në ditët e para të nëntorit të nxjerrin qytetarët në sheshe për të protestuar ndaj asaj, që ata e kanë konsideruar si tjetërsim të vullnetit të zgjedhësve nëpërmjet manipulimeve zgjedhore.
Megjithatë, duket se për këtë çështje, këta drejtues do të mblidhen sërish për të koordinuar edhe në detaje lëvizjen e tyre të re. Krerët e majtë kanë rënë dakord që të zgjerojnë bashkëpunimin edhe me forca të tjera, qofshin këto edhe të djathta, por që kanë të njëjtin vlerësim për këtë proces dhe që janë në opozitë me qeverinë e re.
Mësohet se bëhet fjalë për krijimin e një koalicioni të gjerë partish dhe qytetarësh, pavarësisht ngjyrave partiake që përfaqësojnë, i cili do të kërkojë që të rivendoset në fuqi ligji zgjedhor dhe të bëhet transparenca e zgjedhjeve parlamentare.
Milo
I vetmi që ka pranuar të flasë edhe publikisht pas këtij takimi ka qenë kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, i cili ka konfirmuar se opozita do të vijojë të mbajë të njëjtin qëndrim, që ka mbajtur deri më tani për Kuvendin dhe institucionet e tjera, derisa mazhoranca të pranojë që të hapë kutitë e votimit, për të cilat ka dhe pretendime.
"Opozita shqiptare kërkon patjetër hapjen e kutive të votimit, sepse aty fshihet e vërteta e manipulimit të zgjedhjeve dhe pa transparencën që është kërkuar për t'u trajtuar në këto kuti votimi, opozita nuk do jetë e pranishme në Kuvendin e Shqipërisë", - u shpreh Milo për mediat.
Gjithashtu, ai ka konfirmuar se partitë e majta po kërkojnë gjetjen e një mënyre të re për organizim të së majtës, sidomos në aspektin e përshkallëzimit të reagimit politik ndaj zgjedhjeve të 28 qershorit. Milo është shprehur gjithashtu se bëhet fjalë edhe për riorganizimin e së majtës, për një perspektivë më të gjatë sesa është sfida për të bërë transparencën e zgjedhjeve.