E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi, Berisha fton Obamën për vizitë në Shqipëri

Kryeministri Berisha zhvillon një takim të shkurtër me Presidentin e Amerikës


TIRANË - Mishele Obama do të ndikojë tek bashkëshorti i saj, Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, që të realizojnë një vizitë në Shqipëri. Kërkesa është bërë nga Kryeministri Sali Berisha gjatë një takimi të shkurtër të zhvilluar me Presidentin amerikan, Barack Obama.


Sipas njoftimit për shtyp të Kryeministrisë, në pritjen e dhënë nga Presidenti amerikan, Barack Obama, për të gjithë krerët e shteteve dhe të qeverive, të cilët marrin pjesë në sesionin e 64-t të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, kreu i ekzekutivit zhvilloi një takim të shkurtër me Presidentin Amerikan.


"Kryeministri Berisha u shpreh se të gjithë shqiptarët presin me padurim dhe me shumë kënaqësi një vizitë të Presidentit Obama në Shqipëri, në çdo kohë të mundshme për agjendën e tij.


"Ju, zoti President, do të gjeni kombin më miqësor ndaj kombit amerikan, ndaj vendit tuaj dhe ndaj jush dhe unë shpresoj shumë që ju të vini në vendin tim,"- u shpreh Kryeministri Berisha. Presidenti Obama tha se do të shikonte me shumë kënaqësi mundësinë e një vizite në Shqipëri.


Zonja Mishel Obama, gjithashtu u shpreh se ajo e priti me shumë kënaqësi këtë ftesë për të vizituar Shqipërinë dhe se nga ana e saj do të nxiste bashkëshortin e saj që ta bënte këtë",- thuhet në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë. Nga ana e tij, Presidenti Obama i tha Kryeministrit Berisha se në Çikago, ku ai kishte punuar për një kohë, kishte pasur rastin të takohej e të punonte me disa shqiptarë dhe kishte nga ta mbresat më të mira.


Në këtë pritje të shtruar nga Presidenti Obama dhe që zgjati rreth 2 orë, Kryeministri Berisha u takua sërish me Kryeministrin e Japonisë, me të cilin diskutoi gjerësisht mbi marrëdhëniet mes dy vendeve.


Takime të shkurtra Berisha zhvilloi edhe me Kryeministrin e Holandës, Danimarkës, si dhe me Presidentin e Serbisë, Boris Tadiç. Gjatë takimit me këtë të fundit, u ra dakord që të intensifikohen marrëdhëniet në të gjitha fushat dhe të ketë shkëmbim të vizitave të nivelit të lartë mes dy vendeve.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›