Kushtet e Unionit

Presidenti i Këshillit Europian, Herman Van Rompuy ka paralajmëruar autoritetet serbe se raportet Beograd-Prishtinë do të jenë element kyç kur shtetet anëtare të vendosin rreth kandidaturës së Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Rompuy ka qëndruar të premten në kryeqytetin serb, në Samitin Serbi-BE, ku ka folur edhe për dialogun që është duke u zhvilluar në Bruksel mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë.
“Ne dimë se sa sensitive është çështja e Kosovës për Serbinë. Por, po ashtu është e vërtetë që stabiliteti në Ballkani është një objektiv kyç i BE’së dhe se situata mes Beogradit dhe Prishtinës është për t’u brengosur. Kjo do të jetë një faktor në mendjet e shteteve anëtare, kur t’i marrin vendimet për Serbinë”, ka paralajmëruar Rompuy.
Presidenti Europian ka qenë më specifik kur në fjalimin e tij ka adresuar dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.
Ai ka përshëndetur marrëveshjet që dy delegacionet i kanë arritur më 2 shtator në Bruksel, duke kërkuar që të fillojë implementimi i tyre.
“Është një lajm i mirë që disa nga këto çështje të rëndësishme ishin objekt i marrëveshjeve në dialogun Beograd-Prishtinë. Dhe unë jam i lumtur të shohë se dialogu me Prishtinën ka filluar të japë rezultate siç janë marrëveshjet për vulat doganore dhe kadastrën. Ne presim që të shohim implementimin e tyre në mirëbesim dhe po ashtu që çështjet e mbetura të zgjidhen shpejt”, ka thënë ai.
Zyrtari i lartë i BE’së ka theksuar se problemet e vështira mund të zgjidhen vetëm nëse ka mirëbesim dhe vullnet të mirë te palët.
Kreu i BE’së, e cila është duke ndërmjetësuar në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, ka kërkuar që palët të jenë kooperative, veçmas për bashkëpunimin rajonal ose më saktësisht çështjen e pjesëmarrjes së Kosovës dhe Serbisë në forume të ndryshme ndërkombëtare.
Udhëheqësja e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri ka thënë se kjo çështje do të jetë temë diskutimi mes palëve në raundin e ardhshëm të bisedimeve që pritet të mbahet gjatë muajit. Data për këtë takim nuk është caktuar ende.
Siç dihet, Serbia ka refuzuar të jetë e pranishme në forumet ku kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Kosovës.
Përfaqësuesit serbë kanë pranuar të marrin pjesë në takime të tilla vetëm kur aty ka qenë përfaqësuesit e UNMIK’ut për ta interpretuar atë si përfaqësim të Kosovës nga OKB’ja.
Por Rompuy ka qenë eksplicit në Beograd kur ka folur për këtë temë.
Ai ka kërkuar që kjo çështje të zgjidhet.
“Është i rëndësishëm veçanërisht përforcimi i bashkëpunimit rajonal në atë mënyrë që të përfshihet secili. Mungesa e Beogradit, ose e Prishtinës në forumet diplomatike e dëmton efektivitetin e tyre. Për të dhënë një shembull kur të luftohet krimi i organizuar në nivel të rajonit, mungesa e prezantimit gjithëpërfshirës është diçka që vështirë se mund ta lejojmë. Shpresoj se mund të lëvizim drejt një situate ku të gjithë aktorët që janë në Prishtinë ose në Beograd, marrin pjesë dhe kontribuojnë për bashkëpunimin rajonal dhe zgjidhjen e problemeve të përbashkëta”.
Rompuy ka thënë se dialogu është mënyra më e mirë për të bërë një gjë të tillë.
Ai iu është referuar zhvillimeve të fundit në pjesën veriore të vendit duke thënë se “bllokadat çojnë drejt frustrimit” dhe se “hapat e njëanshëm janë të rrezikshëm”.
“Mënyra më e mirë për të parandaluar aksionet unilaterale është që dialogu të mbahet i hapur dhe të gjenden zgjidhje bashkëpunuese”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se kjo situatë kërkon edhe kompromise.
Rompuy në Beograd ka rikujtuar edhe takimin që ka pasur me Presidenten e Kosovës, ditëve të fundit në Bruksel.
“Ky është një proces që kërkon kompromise nga të dyja palët dhe është në harmoni me vlerat dhe realitetin e përditshëm të anëtarësimit në Union. Unë këtë ia thashë personalisht Presidentes së Kosovës, disa ditë më parë”, ka thënë ai.
Kërkesat që i ka prezantuar shefi i BE’së në Beograd kanë nxitur reagime të palës serbe.
Presidenti i Serbisë, Boris Tadic ka thënë se vendi i tij nuk mund të pranojë kushtëzime në rrugën drejt BE’së.
Ai ka përmendur një zgjidhje prej katër pikash për “çështjen e Kosovës”.
Tadic ka thënë se duhet kërkuar një opsion optimal për Veriun e Kosovës, garanci për sigurinë e serbëve në enklava, rregullimin e statusit të monumenteve më të rëndësishme të kulturës serbe në Kosovë dhe statusin e pasurisë së serbëve dhe të shtetit serb në Kosovë.
Për samitin Serbi-BE ka komentuar edhe Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremic.
Ai ka theksuar se Serbia e ka të vështirë ta marrë datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, deri në fund të vitit.
Ai ka thënë se Serbia do të bëjë gjithë atë që është e mundur drejt procesit të anëtarësimit në BE, por në një referencë për Kosovën, pa e përmendur, ka theksuar se “Serbia nuk do ta bëjë atë që nuk mundet”.