E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bujqit e rrënuar shqiptarë ende të parmendës



Luan Kondi

Pak ditë më parë gjeta në arkivin tim një foto ku dukej qartë një bujk shqiptar që punonte tokën me parmendë. Krah saj një tjetër pamje tregonte dy të tjerë që po ngarkonin misër mbi “Mercedesin” e tyre. Qesha, ashtu siç kisha bërë edhe herë tjetër, por shpejt e mblodha veten se pashë edhe komiken që lehtësisht na vjen në mendje, pasi e kemi më kollaj ta kalojmë situatën me të, dhe tragjiken, dhimbjen për harresën thuajse të plotë për profesionin tonë të vjetër, atij të bujkut. Dikur dëgjoja shpesh të thuhej për një gabim të pafalshëm që me shaka thuhej se “ne shqiptarët shitëm gomarët, dhe blemë ‘bensa’ për t’u kapardisur”, harruam se historikisht kishim punuar tokën e shtrenjtë nga ku përfitonim edhe të mirat materiale. Është fakt se disa persona patën marrë kredi nga një fond për Bujqësinë dhe blenë me të autovetura, duke kujtuar se tani ishin qytetarë, e madje europianë. Jam i sigurt se ndokush edhe e ka kuptuar se ku duheshin përdorur ato para.
E lamë tokën, e braktisëm u sollëm keq me të, veprime këto që sot na vijnë në kujtesë si gabime të shkuara e të fillimit.
Lëvizjet demografike sollën fryrjen e qendrave urbane, por largimet ishin masive nga zonat malore, atje ku nuk kishte mundësi punësimi, përveç blegtorisë. Nuk mund të mos themi se tani përbërja e popullsisë shqiptare ka lëvizur nga shifrat e së shkuarës ku statistikat tregonin se 70 për qind e popullsisë jetonte në fshat. Kjo solli transformimin e gabuar të mendimit tonë pasi kujtuam se tashmë nuk na duhej shumë puna në bujqësi. Harruam se nëse dikur kishte shumë nga ata që prodhimet bujqësore i siguronin nga prona e tyre, ndërsa tani do të duhet ti kërkonin në treg. Por në cilin treg ama, kur bujqësia vdiste dita-ditës, se tokat liheshin djerrë, rinia kishte emigruar dhe mungonte krahu i punës, kur teknika nuk ekzistonte sepse fshatari nuk kishte mundësi ta blinte atë. Me se do të rritej prodhimi bujqësor, kur investimet në këtë sektor propagandohen me të madhe, ndërsa realisht është lëvizur fare pak në këtë drejtim. Kur ishin rritur nevojat, dhe nuk prodhohej, për perime, fruta e të tjera tregtarët shqiptare i sillnin ato nga jashtë, ndaj dhe çmimet i kemi pasur gjithnjë e më të kripura.
Nuk ma ha mendja se ka ndonjë nga ne që nuk ka punuar vetë, ose të mos ketë pasur të paktën ndonjë të afërm që të mos e ketë “shijuar” punën në plantacionet bujqësore greke, italiane apo dhe të tjera. Atje derdhet kaq shumë djersë sa është vështirë të harrohet, por ky është edhe një model i mirë për të marrë shembull. Lëvizje në kahun pozitiv ka, dhe kjo nuk mund të mohohet, por ndryshe nga atje këtu mungojnë shumë gjëra. Nuk e kam fjalën këtu për ligje se ato i kemi të shkruara, as për deklarata politikanësh se edhe këto jo vetëm nuk na kanë munguar, por i kemi pasur e kemi me bollëk. Ngulmoj tek ato që si kemi pasur, pra investimet reale te bujku, tek ai që nuk ka teknikë të punojë tokën, por përdor ende parmendën. Të më thotë dikush nga pushtetarët, ose ministri i Bujqësisë po deshi, se cila është situata e mekanikës bujqësore në Myzeqe dhe zona të tjera fushore. A e dinë, ai dhe të tjerët, se fare pak bujq kanë të tyren mjetet dhe mekanikën bujqësore për të punuar. Le të më thonë se sa janë detyrimet që fshatarët e varfër iu kanë tokë-punuesve të tyre. Në një bisedë që kam pasur vetëm pak ditë më parë me një të njohurin tim nga fshatrat e Myzeqesë, që me mjetet e tij punon edhe tokat e bashkëfshatarëve të vet, mësova se ka një listë të gjatë të borxhlinjve, të cilët nuk arrijnë të sigurojnë të ardhura, edhe pse ia bëjnë shërbimet tokës, as për të paguar borxhet. S’ka se si të ndodhë ndryshe, prodhimet e tyre blihem me çmime qesharake në treg dhe ka raste edhe kur nuk shiten fare se nuk ka asnjë politikë për të ruajtur prodhimin e fermerit vendas nga ai i huaj. Ka raste kur koha nuk e favorizon prodhimin dhe ai nuk ka me se të shlyej as shpenzimet për shërbimin, pra shpenzimet që ka bërë për proceset bujqësore. Fshatari mundohet, rraskapitet, por mundi dhe djersa e tij shkon kot. Ku është realisht politika shtetërore për këtë kategori, kur ka edhe një ministri pikërisht të kësaj linje. Shteti duhet të financojë, mbulojë apo kompensojë humbjet e tij. Nuk ka nevojë fshatari shqiptar për gënjeshtra të tipit “naftë me çmim të ulët” ku tollonat i jepnin kryetarët e komunave për miqtë e tyre, apo dhe të tjera përralla si këto. Ministrat tanë të qeverive, që vijnë e ikin, e dinë fare mirë se si veprohet, jo më tej se disa metra larg kufirit shqiptar, edhe në vende që s’janë në Bashkimin Europian. Le ta shohin Maqedoninë. Pse jo, të hedhin edhe vështrimin nga Jugu, apo dhe Perëndimi, dhe të mos e lëmë fshatarin ende atje ku e gjetëm, te parmenda që qetë e zgjedhës vazhdojnë ta tërheqin nën ngacmimin e hostenit shpues ......

16 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›