E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtet e reja, pronarët kundër Qeverisë



BLEDAR HOTI

Ish-pronarët dalin kundër ndryshimeve të reja të paraqitura nga ana e Qeverisë, për paraqitjen e dokumenteve shtesë për njohjen, kthimin dhe kompensimin e pronës. Sekretari i përgjithshëm i shoqatës "Pronësi me Drejtësi", Agim Toro, në një prononcim për median tha se "një lëvizje e tillë e ndërmarrë nga ana e Qeverisë, që parashikon hartimin e një formulari të ri, nuk e ndihmon procesin, por do ta shtrijë në kohë edhe më të gjatë kthimin dhe kompensimin e ish-pronareve". Sipas tij, rregullat e reja e përcaktuara në vendimin e Qeverisë për njohjen e pronës, kërkojnë që bashku me formularin të plotësohen dhe 14 dokumente të reja, duke vështirësuar procesin. "Vazhdon akoma një frymë e ngarkuar për pronarët, për të paraqitur dokumentet. Pronarëve u kërkohen rreth 14 dokumente, sipas këtij vendimi, në mënyrë që të realizojnë të drejtën e tyre, dokumente të cilat janë shumë të vështira për t'u plotësuar, sidomos pjesa hartografike, e cila kërkohet që të firmoset dhe vuloset dhe gjykata. Vendosja e këtij formulari duket një absurditet sepse ligji thotë 'bëhet kërkesë' dhe format e kërkesës janë nga më të ndryshmet. Vendosja e një formulari do të thotë që gjithë procesi të fillojë nga fillimi", deklaron Toro. AKKP-ja nuk mund të realizojë një proces të tillë, pasi janë rreth 10 mijë dosje, të cilat presin shqyrtimin prej disa muajsh.
"Këto dosje janë të papërfunduara akoma në Agjencinë e Kthimit të Pronave, nëpër qarqe për të cilat duhet të merret një vendim i ri. Ata kanë plotësuar dosjet, i kanë dorëzuar dhe kanë 9 muaj që gjithë sistemi administrativ i kthimit dhe kompensimit të pronave nuk punon. Tani duhet të plotësojmë dokumente, të cilat edhe janë plotësuar edhe nuk janë plotësuar" thekson Toro. Drejtuesi i "Pronësi me Drejtësi" shprehet se në rast të mos zgjidhjes së kërkesave të tyre për çështjen e pronave, nuk do t'i drejtohen më strukturave të shtetit shqiptar, por këtë herë do të trokasin në dyert e Gjykatës së Strasburgut. Toro ndërkohë shprehet se shoqata po përgatitet t'i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese. Kësaj here, përfaqësuesit e kësaj shtrese do të ankimojnë ligjin që u merr pronarëve tokat e papunuara dhe ia jep me qira një pale të tretë. Pas këtij veprimi, individë të caktuar do të orientohen për të ndjekur këtë çështje në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. "Ky ligj është një veprim i dhunshëm nga shteti, i pamoralshëm, antikushtetues, që ndërhyn në të drejtat e atyre njerëzve që ai i ka quajtur pronarë dhe që pronat e tyre janë të regjistruara në zyrat e pasurive të paluajtshme. Në bazë të Kodit Civil, vetëm pronari është ai që ka të drejta reale mbi një pronë, për ta shitur apo dhënë me qira. Mënyra sesi shteti do t'ua marrë tokat djerrë pronarëve, duke shkelur këtë të drejtë, duke vendosur vetë shteti normat e qirasë, nuk bën gjë tjetër veçse shkel dhunshëm të drejtat e individit në kuptimin e pronësisë", deklaron Toro. Sipas tij, rruga më e mirë për të mos lënë tokat bujqësore djerrë është përdorimi i taksave nga shteti, ulja e tyre për ata që e punojnë dhe ngritja për ata që nuk i punojnë ato.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›