Nishani: Formulari i ri miratohet pas disa ditësh
Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani shprehet se pas vendimit të Qeverisë, së shpejti do të bëhet prezent edhe formulari i ri për t'u plotësuar nga ana e ish-subjekteve të shpronësuara, që kërkojnë njohje, kthim apo kompensim të pronës. Në një prononcim për Alsat TV, ministri Nishani, i cili ka nën varësi dhe Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka thënë se: "Për sa kohë, këto ditë është miratuar dhe struktura e re e Agjencisë nga Kryeministri është duke ndodhur procesi i transferimit të dosjeve nga zyrat vendore drejt agjencisë qendrore. Do të jetë thjesht çështje ditësh dhe javësh, për sa i takon riorganizimit të strukturës dhe besoj që menjëherë pastaj do të fillohet me proceset e tjera, që kanë të bëjnë qoftë me hartimin e modularit të aplikimit, si dhe me vendime konkrete nga Agjencia". Ministri konfirmon gjithashtu se rregullave të reja nuk do t'i nënshtrohen ata ish-pronarë, dosjet e të cilëve janë grumbulluar në vite pa u shqyrtuar. Janë rreth 8000 të tilla, për të cilët nuk do të jetë nevoja e dokumenteve shtesë. "Ata do të trajtohen mbi bazën e dokumentacionit që kanë paraqitur. Nëse gjatë trajtimit do të ketë kërkesa nga komisionet përkatës, për dokumentacion plotësues apo për dokumentacione shtesë, kjo është çështje e procedurës dhe e ligjit që parashikon. Ajo bazohet mbi praktikën që është depozituar dhe nuk ka më depozitime të praktikave të tjera", tha Nishani.