E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtet higjieno-sanitare, mbyllen 4 kopshte dhe 1 çerdhe

Kater kopshte dhe nje cerdhe jane mbyllur ne qytetin e Lushnjes nga Drejtoria Arsimore e Fierit. Burime zyrtare nga kjo drejtori bëjnë me dije se mbyllja u be pas kontrolleve të ushtruara në ambientet e tyre. Reagon Bashkia e Lushnjes 

LUSHNJE - Drejtoria Rajonale Arsimore e Fierit dje u ka vënë drynin dyerve të katër kopshteve dhe një çerdheje në qytetin e Lushnjës, pasi nuk kanë plotësuar kushtet higjieno-sanitare. Përveçse janë mbyllur, 5 institucioneve arsimore iu është vënë dhe gjobë prej 500 mijë lekësh secilit. Burime zyrtare nga kjo drejtori bëjnë me dije se çerdhja dhe katër kopshtet me drekë u mbyllën pas kontrolleve të ushtruara në ambientet e tyre. Mësohet se gjatë kontrollit është konstatuar se kushtet higjieno-sanitare në kuzhinat e këtyre institucioneve linin shumë për të dëshiruar, pasi muret ishin të dëmtuara, të palyera dhe nuk funksiononte aspirimi. Jo vetëm kaq, por dhe ushqimi (kryesisht mishi, kosi, djathi e gjalpi) që konsumohej nga fëmijët, nuk ishte i shoqëruar me certifikatën e sigurisë. Nisur nga situata problematike e krijuar në kopshte dhe në çerdhen e qytetit të Lushnjës, Drejtoria Arsimore e Fierit ka vendosur mbylljen e tyre. Një vendim i tillë ka pasuar me reagimin e përfaqësuesve të Bashkisë së Lushnjës. Ata janë shprehur se masat ndëshkimore të marra nga krerët e Arsimit në rreth nuk kanë të bëjnë me kushtet jo të mira në kopshte dhe çerdhe, por bëhen për motive politike.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›