E Shtunë, 31 Tetor 2026

Evropa vlerëson reformat e Berishës, kërkon ndaljen e bojkotit të Edvinit

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta është takuar dje në Bruksel me Komisionerin për Zgjerimin, Olli Rehn, i cili ka konfirmuar se brenda nëntorit, Shqipëria do të marrë statusin e kandidatit për në BE, ndërkohë që s’ka dyshime për lëvizjen e shqiptarëve pa viza, në mesin e vitit 2010
 
“Qeveria, program ambicioz pune, Shqipëria ka bërë progres”. Kështu është shprehur dje Komisioneri për Zgjerimin, Olli Rehn gjatë një takimi që pati me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ilir Meta. Midis të tjerave në një konferencë të përbashkët shtypi me metën në përfundim të takimit, Rehn vlerësoi se, “Implementimi i MSA po njeh progres efikas. Komisioni do të bëjë rekomandimin për lëvizjen pa viza në mesin e vitit 2010. Ambasadorët e COREPER kanë diskutuar për anëtarësimin dhe ka një shans të mirë që vendimi për statusin kandidat të Shqipërisë në BE, të merret nga Këshilli në Nëntor”. Komisioneri për Zgjerimin, Olli Rehn, komentoi edhe qëndrimin e opozitës shqiptare. Sipas tij, “Opozita t’i japë fund bojkotit parlamentar. Bojkoti i opozitës është jo demokratik dhe larg standardeve evropiane. Bojkoti nuk përputhet me pjekurinë politike të kërkuar”.
Olli Rehn
Në fillim të deklaratës së tij para gazetarëve, Komisioneri për Zgjerimin, Olli Rehn, ka përgëzuar  Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë Ilir Meta, për emërimin e tij, si dhe për programin ambicioz të punës të Qeverisë së re. “Ky program fokusohet në integrimin Evropian dhe kërkesat e tij si dhe në përkushtimin për të ndjekur ato reforma që do të ndihmojnë në materializimin e objektivit për të ecur përpara në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Në mënyrë të veçantë, kjo ka të bëjë me çështje që lidhen me luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Siç e theksuam në paketën tonë të zgjerimit në tetor, Shqipëria ka bërë progres në shumë reforma politike. Zgjedhjet parlamentare të qershorit përmbushën shumicën e standardeve ndërkombëtare, ndërkohë që përpjekje të mëtejshme nevojiten për të adresuar disa çështje që janë identifikuar”, u shpreh më tej Rehn.
Duke u ndalur në aspiratën e Shqipërisë për anëtarësim në BE, Olli Rehn ka njohur dhe evidentuar progresin e Shqipërisë në këtë drejtim. “Implementimi i MSA, që hyri në fuqi këtë vit po njeh progres të vazhdueshëm dhe efikas. Ende mbetet shumë për t’u bërë. Shqipëria duhet të bëjë progres veçanërisht në fushën e rendit dhe sigurisë dhe gjithashtu për të siguruar pavarësinë e gjyqësorit. Në këtë kuadër e inkurajova Metën dhe Qeverinë që të bëjnë të gjitha përpjekjet e nevojshme për të përmirësuar këto çështje dhe për të bërë reforma në këto drejtime”, u shpreh më tej Rehn.
Duke u ndalur në rëndësinë e kapaciteteve administrative, Rehn ka vlerësuar sërish Qeverinë shqiptare, që i konsideron këto si prioritete. “Gjithashtu, nënvizova rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të kapaciteteve administrative dhe zbatuese të administratës publike shqiptare. E mirëpres faktin që Qeveria shqiptare i konsideron këto çështje si prioritete për punën e saj në të ardhmen”, u shpreh më tej Rehn.
Komisioneri për Zgjerimin, Olli Rehn, është ndalur në deklaratën e tij, në apelin për opozitën shqiptare, për hyrjen e saj në parlament, si një pjesë e rëndësishme e reformave në kuadër të integrimit të Shqipërisë drejt BE-së.
“Dua gjithashtu të them diçka në lidhje me pjekurinë demokratike. Progresi drejt BE kërkon reforma të vështira dhe konsensus politik në prioritete kyçe. Kjo është thelbësore për çdo vend që të bëjë progres drejt BE. Në emër te forcimit të konsensusit politik, i kam kërkuar Zëvendëskryeministrit të gjejë një zgjidhje për bllokadën aktuale politike dhe për bojkotin e Parlamentit prej Opozitës. Patjetër që ky është një shqetësim që e kam ngritur edhe me Opozitën dhe i kam kërkuar asaj që t’i japë fund bojkotit parlamentar që nuk respekton standardet demokratike evropiane. Debati demokratik duhet të ndodhë brenda Parlamentit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme gjatë kësaj periudhe që BE është duke konsideruar kërkesën, dhe kur Komisionit do t’i duhet së shpejti të fillojë punën për Opinionin mbi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE. Një kriter politik thelbësor është stabiliteti demokratik dhe ky lloj bojkoti parlamentar nuk përputhet me pjekurinë demokratike apo me stabilitetin që kërkohet. Këto janë inkurajime pozitive” përfundoi Rehn, duke i dhënë fjalën Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme,  ët Shqipërisë, Ilir Metës.
Ilir Meta
Nga ana e tij, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta ka falënderuar Komisionerin Olli Rehn për inkurajimin që KE dhe Rehn personalisht i kanë dhënë Shqipërisë për t’u afruar më tepër me BE-në.
Më tej Meta ka siguruar Rehn, për thellimin e mëtejshëm të reformave, nga ana e qeverisë shqiptare.
“Dua të shfrytëzoj rastin t’a siguroj Komisionerin përsëri dhe gjithë institucionet këtu në Bruksel se Qeveria shqiptare do t’a thellojë më tej më tej procesin e reformave në vend, proces që do të kontribuojë për avancimin e marrëdhënieve tona me BE. Në këtë kuadër, vlerësojmë bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen e Komisionit”, deklaroi Meta më tej.
Duke vijuar në deklarimin e tij, me informimin që i kishte bërë Ollir Rehnit, Ilir Meta bëri të ditur edhe gatishmërinë e Shqipërisë, për të përmbushur dhe për t’ju përgjigjur rekomandimeve të Progres-Raportit. “Për sa i përket Progres-Raportit e informova Komisionerin që ne i kemi marrë rekomandimet e këtij raporti shumë seriozisht, dhe se ato tashmë përbëjnë bazën e një plan-veprimi për punën e Qeverisë gjatë muajve të ardhshëm.
Ndërsa ne mirëpresim një vendim nga Këshilli të merret së shpejti, e informova Komisionerin Rehn se Qeveria shqiptare është tepër e fokusuar në përgatitjet për t’iu përgjigjur Pyetësorit në kohën e duhur. Me këtë rast e sigurova Komisionerin se Qeveria shqiptare është e vendosur dhe ka mobilizuar kapacitetet më të mira të vendit për këtë proces”, shprehu Meta garancitë e Qeverisë shqiptare.
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, ripërsëriti edhe përkushtimin dhe vullnetin e Qeverisë shqiptare për të bashkëpunuar me opozitën. “Qeveria është e përkushtuar të bashkëpunojë me opozitën përgjatë këtij procesi dhe ka përsëritur vazhdimisht vullnetin e saj për këtë çështje, ndaj presim që opozita të marrë përgjegjësitë e saj shumë seriozisht. Qeveria dhe mazhoranca në Parlament e kanë shprehur vullnetin e tyre për bashkëpunim dhe për t’i zgjidhur kërkesat legjitime të Opozitës, por pa prekur dhe pa ndërhyrë në pavarësinë e gjyqësorit dhe vendimet e gjykatës”, deklaroi më tej Meta.
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, bëri të ditur në përfudnim të deklaratës së tij edhe vullnetin e Qeverisë shqiptare për angazhimin por paqes dhe stabilitetit në rajon.
“Me Komisionerin shkëmbyem gjithashtu edhe mendime mbi bashkëpunimin rajonal. Theksova edhe një herë vullnetin e Qeverisë shqiptare për të vazhduar angazhimet e politikës së saj të jashtme në rajon si një faktor të rëndësishëm që investohet për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, përfundoi Meta deklaratën e tij.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›