E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtetuesja: Gjykata e Lartë duhet të shqyrtojë padinë ndaj Mediut për Gërdecin

Share

Gjykata Kushtetuese ka vendosur që të rrëzojë një vendim të Gjykatës së Lartë, e cila në mënyrë arbitrare kishte vendosur të mos pranojë paditë e dy të plagosurve në shpërthimin e Gërdecit ndaj ish- ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Me vendimin nr. 27 dt. 09.05.2012 Gjykata Kushtetuese vendosi të shfuqizojë vendimin nr. 5 dt. 01.03.2010 të Gjykatës së Lartë dhe si rrjedhim të kthejë për shqyrtim çështjen penale R. Durdaj dhe A. Hazizaj kundër F. Mediut. Gjykata Kushtetuese e ka cilësuar të padrejtë dhe në shkelje të Kushtetutës mënyrën sesi Gjykata e Lartë vendosi të mosfillojë procedimin penal ndaj ish Ministrit të Mbrojtjes, ku ajo përdori pa të drejtë kompetenca që i takojnë akuzës duke cenuar paanshmërinë e gjykatës, si dhe interesat e ligjshme të të plagosurve.

Sot, jo vetëm që vendimi ishte në favor të të dëmtuarve të shpërthimit të Gërdecit, por njëkohësisht u sqarua edhe një nga momentet e errëta të një praktike të ndjekur gabim prej vitesh tashmë nga Gjykata e Lartë. Nga vendimi del qartë që gjykatës nuk i takon të vendosë për të filluar ose jo procedimin penal, e drejtë kjo që tashmë mund të thuhet zyrtarisht se i përket vetëm të dëmtuarit akuzues dhe vullnetit të tij, thuhet në një njoftim të Qendrës Res Publica dhe Shoqatës së Familjarëve të Viktimave të Gërdecit.

Vlen të theksojmë se standardi i gabuar i gjykimit është përsëritur edhe në rastin e kërkesave të paraqitura nga të plagosurit e tjerë, të cilët janë trajtuar në të njëjtën mënyrë. Vendimi nr. 27 dt. 09.05.2012 i Gjykatës Kushtetuese do ti çelë rrugën një gjykimi më të drejtë dhe nga e para e të gjithë kërkesave të tyre. Duke parë edhe interesimin e organizmave ndërkombëtarë të cilët kërkojnë me insistim zbatimin e gjykimeve korrekte edhe në rastin kur në bankën e të akuzuarve janë persona me cilësi të caktuara, siç janë personat me pushtet, Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj e detyron Gjykatën e Lartë të mos pengojë dhe madje të vihet në rolin e ndihmuesit për realizimin e këtij procesi, vijon njoftimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›