E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minatorët rifillojnë grevën, përleshen me policinë

 

Protesta e paralajmëruar e sindikatës së minatorëve ka degraduar në përleshje me forcat e policisë. Të grumbulluar përpara kryesisë së Kuvendit, ata kanë kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre të cilat i parashtrojnë që prej disa muajsh. Në duar mbanin  parulla si “Sindikalizëm, jo hipokrizi” apo “10 vjet nën tokë, 50 vjet në pension”. Përveç motit me shi, minatorëve nga i gjithë vendi u është dashur të përballen dhe me dhunën e forcave të rendit. Përplasja ndodhi pasi policia kërkoi të shoqëronte në polici kreun e shoqatës së minatorëve, Fiqiri Xibrin. Veprimi është kundërshtuar nga minatorët, të cilët nuk kanë lejuar që policia të marrë në makinë kryetarin e tyre. Ndonëse protesta e tyre zhvillohej me leje, efektivët blu nuk janë penguar aspak që të bëjnë të gjitha përpjekjet për të mos lejuar vijimin e saj. Që  prej 5 ditësh minatorët kanë hyrë serish në grevë urie pasi kërkesat e tyre nuk janë realizuar ende që prej ndërprerjes së grevës së urisë që zhvilluan pak kohë më parë. Asokohe për të arritur konsensus ndërmjet tyre dhe qeverise u angazhua edhe presidenti i vendit. Në protestën e djeshme morën pjesë edhe  minatorë nga miniera e Bulqizës, ku pas disa ditësh pritet të zhvillohet një protestë e madhe ndaj neglizhencës së qeverisë në lidhje me realizimin e kërkesave të tyre. Kërkesë kryesore e tyre është rritja e pagës së pensionit dhe ulja e moshës për ta përfituar atë, pasi në shumë raste minatorët nuk arrijnë ta gëzojnë atë. Në vijim një përfaqësi prej 3 minatorësh i është drejtuar Kryeministrisë për të kërkuar një takim me kryeministrin Berisha, ose një përfaqësues të qeverisë. Ata paralajmërojnë  përshkallëzim të protestës, deri në bllokim të rrugëve në të gjithë Shqipërinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›