E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtetuesja, Krasniqi: Sulmet ndaj Topit, personale

Bamir Topi nuk ka kryer asnjë shkelje kushtetuese sipas politologut Afrim Krasniqi në emerimet e anëtarëve dhe kryetarit të gjykatës kryesore në vend. Ish këshilltari politik i ish presidentit Alfred Moisiu, argumenton akuzat e bëra në adresë të kreut shtetit për gjykatën kushtetuese me 3 motive kryesore..

“E para për ta atakuar presidentin në një debat i cili në publik nuk është tërësisht i qartë dhe është i depërtueshëm, dhe është arritur qëllimi. E dyta, për shkak se presidenti shprehu rezerva në raport me ligjin e shërbimit sekret dhe gjithashtu dhe se Gjykata Kushtetuese, përfshi dhe kryetarin aktual kanë votuar në mënyrë të qartë kundër dy ligjeve themelore ëpr maxhorancën, që janë ligji i lustracionit dhe ligji për marrëveshjen me Greqinë”, thotë Afrim Krasniqi, politolog.

Këshilltari i Moisiut për politikën e sheh si të nevojshëm një ligj organik për funksionimin e presidencës. Por selia e Bamir Topit sipas tij, nuk duhet të jetë i vetmi institucion që rregullohet nga një ligj i tillë.

“është dhe parlamenti që nuk ka një ligj organik, është dhe konferenca gjyqësore, e cila me ligjin e rrëzuar poshtë nga Gjykata Kushtetuese ka shumë mangësi themelore. Dhe unë mendoj që deputetët e partive të caktuara përpara se të merren me institucionin e presidentit, të merren me institucionin ku ata punojnë. Do të thotë të krijojnë një ligj për funksionimin e Parlamentit dhe nëse do të kishim një ligj të tillë, mendoj që shumë nga debatet dhe keqkuptimet e tanishme do të ishin ezauruar”, vijon Krasniqi.

Shqetësimi për mungesën e kryetarit të Kushtetueses është ngritur me vonesë sipas Krasniqit, 1 muaj pasi këtij të fundit i kishte skaduar mandati, gje që sjell dyshime për vertëtësinë e tyre.

Elona Gjylmi Azhornuar së fundi ( e hënë , 02 gusht 2010 ) < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›