E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, KS njihet me situatën në Mitrovicë

Raporti për Kosovën i sekretarit të përgjithshëm të KB tashmë është në duart e anëtarëve të KS. RTV21 bën të ditur se sekretari Ban Ki-Mun u ka shpërndarë vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit raportin e tij për Kosovën, ku vlersohet se gjendja e sigurisë është stabile, ndërsa ka tërhequr vërejtjen që të mos nënvlerësohet mungesa e stabilitetit në veri. Në raport flitet për hapjen e Zyrës për regjistrim civil në veri të Mitrovicës, protestat e serbëve kundër hapjes së kësaj zyre. Problemeve në këtë pjesë të vendit, sekretari Ban Ki-Mun u ka kushtuar një pikë të veçantë, ndërsa në raport flitet edhe për plagosjen e deputetit serb Petar Miletiq.

Edhe problemi i të kthyerve në Zallç, heqja e antenave të telefonisë së paligjshme serbe nëpër enklavat serbe sikurse edhe brohoritjet dhe thirrjet e serbëve në Gazimestan më 28 qershor për vrasjen dhe shfarosjen e shqiptarëve janë pjesë e raportit të Ban Ki-Munit I cili në raportin e tij ka adresuar kritika ndaj sistemit të drejtësisë duke e vlerësuar si të dobët.

Si aneks i raportit të kreut të Kombeve të Bashkuara është edhe ai i EULEX-it për punën që misioni evropian po bën në Kosovë. Në aneks shefi në largim i misionit evropian në Kosovë ka përmendur vendosjen e kontrollit të plotë në dy pikat kufitare në veri, e ka theksuar se janë duke u kryer hetime kundër krimit të organizuar, korrupsionit, kontrabandës e pastrimit të parave.

Delina Bitraku

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›