E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtetuesja, PD ngre akuzë publike ndaj Presidentit Topi

Deputeti Hoxha: Presidenti shkeli betimin. Halimi: Të mblidhet urgjent Parlamenti, pasi Topi të propozojë kreun e ri të Kushtetueses Reagon Presidenca, Peçi: Pengesë ka qenë burokracia e Kuvendit

Nis “lufta” e hapur Presidencë-mazhorancë. Spektrit blu politik i ka sosur durimi dhe ka kryqëzuar me akuza Presidentin Bamir Topi, me pretendimin se ka thyer betimin mbi dokumentin themeltar të shtetit. Gjykata Kushtetuese është pika nevragjike që ka ndezur debatin e fundit institucional. Demokratët kërkojnë mbledhjen me urgjencë të Parlamentit, ndërsa Presidenca hidhet në ofensivë duke ia vendosur përgjegjësinë burokracive që Kuvendi ka bërë për kandidaturat e propozuara nga kreu i shtetit për gjykatat. Krahas krizës politike nisin të preken edhe institucionet nga ethet e konfliktit. Mbyllja e punimeve të Kuvendit nuk e dërgoi klasën politike në prapavijën e pushimeve, por e përfshiu atë në një krizë edhe më të thellë, Presidencë-Kuvend. Të dyja palët, Presidenca dhe mazhoranca treguan dje se ka marrë fund koha e “diplomacisë politike” dhe kanë hapur thesin për t’i paraqitur palës respektive pakënaqësitë, duke u fokusuar vetëm tek Kushtetuesja pa përmendur inatet e akumuluara që nga zanafilla e konfliktit që për muaj qëndroi në heshtje. Gjykata Kushtetuese do të rifillojë punën më 14 shtator. Pas pushimeve të verës, Gjykata Kushtetuese do të marrë pesë çështje në shqyrtim nga data 14-21 shtator.

Akuzat e PD-së

Deputeti demokrat, Fatos Hoxha, njëkohësisht edhe anëtar i Komisionit të Ligjeve, duke interpretuar vonesat në plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese, ka bërë fajtor kreun e shtetit, duke e akuzuar rëndë atë se ka shkelur betimin që ka bërë mbi Kushtetutë. “Nuk bëhet më fjalë që Presidenti ka shkelur Kushtetutën, por që Presidenti ka shkelur betimin që ka bërë mbi Kushtetutë. është përcaktuar qartë në Kushtetutë gjithçka”, tha deputeti Hoxha. Një tjetër anëtar i Komisionit të Ligjeve, deputeti Eduard Halimi vijoi të njëjtën linjë akuzash, ku sipas tij, mosveprimi i Presidentit për zëvendësimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, përbën një fyerje të rëndë për Kushtetutën dhe shtetin ligjor. “Ky përbën një akt të rëndë dhe të paprecedentë në të gjithë historinë e shtetit shqiptar”, deklaroi dje deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi.

Qëndrimi i Presidentit

Këshilltari ligjor i Presidentit Bamir Topi, ish-deputeti dhe ish-anëtari i Komisionit të Ligjeve, Spiro Peçi, u ka dhënë dje përgjigje akuzave të mazhorancës. Sipas tij, çdo deklaratë e bërë në këtë drejtim është e frymëzuar politikisht, me qëllim që të spostohet vëmendja nga problemet e rëndësishme që ka aktualisht politika shqiptare. “Me mbarimin e mandateve, Presidenti i Republikës ka dalë me një propozim konkret për të dyja forcat kryesore politike. Presidenti, pasi përzgjodhi nga më shumë se tetëdhjetë kërkesa, dhjetë kandidatura për Gjykatën Kushtetuese, u propozoi të dyja forcave politike, qoftë Partisë Demokratike, qoftë grupit parlamentar të Partisë Socialiste që të hiqnin nga kjo listë nga dy kandidatë dhe do të mbeteshin vetëm gjashtë, për të cilët palët do të binin dakord”, tha këshilltari Peçi. Këshilltari juridik i Presidentit pohoi se “pengesë ka qenë, edhe burokracia, zgjatja, mënyra e procedimit nga vetë Kuvendi i Shqipërisë në miratimin të paktën e atyre kandidaturave që janë paraqitur nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë”. Presidenca e ka thënë të qartë fjalën e saj të fundit nëpërmjet këshilltarit Spiro Peçi, se propozimet e reja për Gjykatën Kushtetuese do të nisin në datën 6 shtator, kur të nisë sesioni i ri parlamentar.

Mbledhja e Parlamentit

Deputeti Halimi, në emër të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, i kërkoi Presidentit të dekretojë sa më shpejt kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, institucioni që është garant i Kushtetutës. Deputeti i PD-së kërkoi ndërkaq edhe thirrjen urgjente të Parlamentit për të bërë miratimin e kreut të ri të Gjykatës Kushtetuese, pasi atë ta emërojë kreu i shtetit. Sipas deputetit Eduart Halimi është fyese për shqiptarët që të përdoret si justifikim skadimi i mandatit të disa anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që edhe dekretimi i tyre është kompetencë e Presidentit të Republikës. Deputeti i PD-së, në këtë akuzë ndaj Presidentit, iu referua nenit 125 të Kushtetutës, në të cilën thuhet shprehimisht se “kryetari i Gjykatës Kushtetuese duhet të emërohet nga Presidenti, me pëlqim të Kuvendit, vetëm për një periudhë trevjeçare. “Paraardhësi i z. Kristo ka dhënë dorëheqjen nga detyra, ditën që i mbaroi mandati i kryetarit dhe ka vazhduar më tej detyrën e tij si gjyqtar”, tha Halimi.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›