E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtetuesja: Rotacioni me 6 anëtarë, jokushtetues



Gjykata Kushtetuese e cilëson si aspak kushtetues faktin që 6 anëtarë të kësaj gjykate të ndërrohen menjëherë. Drejtoresha e Marrëdhënieve me Publikun në Gjykatën Kushtetuese, Edlira Abazi, tha dje se Kushtetuta ka përcaktuar mënyrën e rrotacionit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Sipas saj, rrotacioni me 6 anëtarë njëherësh, nga 9 që ka gjithsej kjo gjykatë, është jokushtetues. Abazi tha se Kushtetuta ka parashikuar që zëvendësimi të bëhet çdo tri vjet, me nga tri anëtarë. "Rotacioni në Gjykatën Kushtetuese me 6 anëtarë është jokushtetues. është detyrë e Legjislativit të gjejë një mundësi ligjore, për të rregulluar këtë mospërputhje kushtetuese dhe faktike që, në qoftë se do të lejohet në këtë formë do të vazhdojë të jetë i tillë në çdo kohë që do vijë. Pra ne do të kemi një ripërtëritje të gjykatës një herë në tre vjet dhe një herë në gjashtë vjet. Kjo gjë nuk është normale", tha Abazi. Ajo tha më tej se është detyrë e Kuvendit që të gjejë një mundësi ligjore, për të rregulluar mospërputhjet ligjore me ato faktike. Kushtetuta parashikon në nenin 125 të saj se, Gjykata Kushtetuese mund të ripërtërihet me një të tretën e anëtarëve të saj. "Përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo tre vjet në një të tretën e saj, sipas procedurës së caktuar me ligj", thuhet në pikën 3 të nenin 125. Por ky boshllëk ka ardhur për shkak se 3 anëtarë të kësaj gjykate, Fehmi Abdiu, Kujtim Puto dhe Sokol Sadushi, janë emëruar në këtë detyrë në bazë të dispozitave kushtetuese të mëparshme dhe kanë pasur një mandat 12-vjeçar, ndërsa gjyqtarët e tjerë janë emëruar mbështetur në Kushtetuese dhe kanë një mandat 9-vjeçar. Në këtë moment, kur 3 anëtarë konsumuan mandatin 12-vjeçar, ndërsa 3 anëtarë të tjerë konsumuan mandatin 9-vjeçar, krijoi mundësinë që 6 anëtarë të zëvendësohen njëherësh, ndonëse Kushtetuta kërkon zëvendësimin vetëm të një të tretës së saj. Aktualisht, 2 gjyqtarë të rinj kanë nisur detyrën në këtë gjykatë. Altina Xhoxhaj dhe Bashkim Deja bënë betimin në Presidencë dhe kanë nisur nga detyra. Ata zëvendësuan anëtarët Fehmi ABdiu dhe Kujtim Puto. Ndërkaq është rrëzuar dekreti për Vangjel Kostën, i cili duhej të zëvendësohet Sokol Sadushin. Kreu i Shtetit, Bamir Topi, do të duhet të përzgjedhë edhe 4 emra të rinj që duhet t'ia dërgojë Kuvendit, si anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Anëtarët e rinj do të zëvendësojnë Sokol Sadushin, Admir Thanzën, Xhezair Zaganjorin dhe Petrit Plloçin. Këtyre anëtarëve u ka mbaruar mandati në datën 24 maj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›