KE heq vizat me Shqipërinë, vë 3 kushte
ADI SHKEMBI
Kolegji i Komisionerëve miraton propozimin për heqjen e vizave mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë. Vendimi i marrë dje në mesditë përmes "procedurës së shkurtuar" do të bëhet publik sot nga Komisionerja për çështjet e Brendshme dhe Drejtësinë, Sisilia Mallstrome. Paralelisht me propozimin për heqjen e regjimit të vizave Brukseli ka vendosur edhe tre kushte të cilat duhet të plotësohen përpara vjeshtës kur Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Ministrave të BE-së të japim vendimin përfundimtar.
Kushtet
Si Shqipërisë ashtu edhe Bosnjës i janë vendosur tre kushte të cilat duhet të plotësohen sa më shpejt. Kushti i parë për Tiranën zyrtare është miratimi i një strategjie për riintegrimin e të riatdhesuarve. Lidhur me këtë çështje, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, i cili ndodhet në Bruksel ku ka zhvilluar takime me funksionarë të lartë të BE-së, bëri të ditur dje në një intervistë për BBC-në se strategjia do të miratohet brenda dy javëve në komitetin ndërministror të liberalizimit të vizave. Kushti i dytë ka të bëjë me zbatimin efikas të kuadrit ligjor për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Për këtë pikë Basha deklaroi se policia do të vazhdojë të marrë mbështetje të mjaftueshme financiare në veçanti në fushën e luftës kundër trafikut të qenieve njerëzore, narkotrafikut dhe për konfiskimin e aseteve kriminale. Pikërisht zbatimi i ligjit për asetet e mafies është edhe kushti i tretë i vendosur nga raporti i Komisionit Evropian. "Shqipëria, edhe sot, por edhe në javët që vijnë do të raportojë progres strukturor, pra në ngritjen e strukturave institucionale në Policinë e Shtetit, por edhe në Prokurori, të cilat po merren me çështje konkrete", deklaroi Basha. Pas njoftimit që do të bëjë sot Komisionerja për çështjet e Brendshme dhe të Drejtësisë, pritet që raporti të dërgohet në mbledhjen e Ministrave të Jashtëm në Sarajevë dhe do të diskutohet në datat 3 dhe 4 qershor. Ministri Basha dha dje garanci se në këtë samit do të hyjë propozimi për heqjen e vizave me Shqipërinë, ku do të bëhet edhe leximi i parë i raportit. Më pas raporti do të shqyrtohet në parlamentet e secilit prej 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe nëse ato nuk do të kenë propozime shtesë pritet që Parlamenti Evropian të votojë në muajin shtator propozimin për heqjen e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën. Në fund do të jetë Këshilli i BE-së, i përbërë nga Ministrat e Brendshëm, që do të miratojë vendimin dhe do të përcaktojë datën kur ai do të hyjë në fuqi.
Kushtet
Miratimi i strategjisë për riintegrimin e të riatdhesuareve; Zbatimi efikas i kuadrit ligjor për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit; Zbatim efikas i ligjit të ri për konfiskimin e aseteve kriminale
Svoboda: S’ka viza nëse s'zgjidhi krizën
Zv.Presidenti i grupit socialist në Parlamentin Evropian, Hannes Svoboda tha dje në një prononcim për Top Channel se nëse nuk zgjidhet kriza, Shqipëria rrezikon heqjen e vizave. "Ne nuk do të ndalojmë iniciativën tonë derisa të kemi një zgjidhje dhe Shqipëria duhet ta dijë se pa zgjidhje, zhvillimi i marrëdhënieve me BE-në do të ketë shumë, shumë probleme, duke përfshirë këtu dhe çështjen e liberalizimit të vizave. Nuk është qëllimi ynë të kërcënojmë, por të tregojmë rrugën për liberalizimin e vizave dhe negociatave për anëtarësim, dhe për këtë ne presim që Shqipëria të japë po ashtu kontribut". I pyetur se si do të pengohet heqja e regjimit të vizave ai tha se "ne duhet të vendosim për liberalizimin e vizave. Pa Parlamentin Evropian, liberalizimi i vizave nuk bëhet".