Stabiliteti financiar dhe niveli i borxhit, temat kryesore të diskutimit
Pas takimeve të shumta me krerët më të lartë të vendit, Fondi Monetar në Shqipëri ka zgjedhur Kuvendin si mbyllje të misionit të saj. Sikurse ka vepruar edhe herë të tjera, në prag të konferencës për shtyp FMN-ja parashikon të zhvillojë sot një takim të rëndësishëm me anëtarët deputetë të Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat. Burime pranë komisionit thonë se temat e diskutimit do të jenë niveli i borxhit, buxheti 2010, si dhe stabiliteti ekonomik në tërësi. Në fillim shefi i misionit, Gerwin Bell, do të dëgjojë pikëpamjet e deputetëve rreth situatës ekonomike që po kalon vendi, e më pas do të ndajë me ta vlerësimet mbi gjendjen aktuale, duke dhënë sugjerime rreth masave që duhen ndërmarrë. Nuk është konfirmuar ende prezenca e opozitës, e cila në takimet e kaluara ka luajtur një rol të rëndësishëm në bërjen transparente të treguesve ekonomikë.
Takimet më të rëndësishme të FMN-së kanë qenë padyshim me kreun e qeverisë, ministrin e Financave, dhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, ku pak është mësuar rreth përmbajtjes së diskutimeve. Megjithatë thelbi i debatit ka qenë borxhi i lartë i qeverisë, krijuar më së shumti gjatë vitit elektoral 2009, duke prekur nivelin pranë 60 për qind. Në seminarin e zhvilluar pak ditë më parë, Bell theksoi edhe një herë rëndësinë që ka borxhi në terma afatgjata, duke sugjeruar një nivel prej 50 për qind.
Ardhja e misionit të FMN-së në Tiranë lidhet me marrëveshjen e radhës, në kuadër të artikullit IV, sipas të cilës Fondi njihet nga afër me termat e buxhetit dhe rekomandon për masat, ndërsa qeveria ka lirinë e plotë të të vepruarit, me kushtin e mospërfitimit të fondeve me interesa të buta.
#