E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtetuesja i hap rrugë ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar

10/11/2011  Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e Bashkisë për parlamentin e ri

Piramida do të prishet dhe në vend të saj do të ngrihet kompleksi i ri parlamentar - ky është vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese, e cila ka rrëzuar kështu kërkesën e Bashkisë së Tiranës për pezullimin e zbatimit të vendimit të Kuvendit të Shqipërisë “Për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar” në vend të Piramidës, ose Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës. Me këtë vendim Kushtetuesja i hap rrugë fillimit të punimeve për prishjen e Piramidës dhe ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar. Ndërtimi i tempullit të ri parlamentar në vend të Piramidës pritet t’i kushtohet 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së vendit. Ndërkohë më 24 mars një juri ndërkombëtare përzgjodhi mes 12 projekteve atë të studios nga Vjena (Austri) si fituese të konkursit ndërkombëtar për kompleksin e ri parlamentar të shpallur nga Kuvendi. Nga ana e saj qeveria ka parashikuar në buxhetin e ri dhe shumën e parashikuar për këtë qëllim, që me gjithë financimet e shtetit të Arabisë Saudite shkon në rreth 45 milionë dollarë

Rrëzimi

Në argumentet e saj Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se vendimi nr. 66 i nxjerrë nga Kuvendi i Shqipërisë është marrë në përputhje me Rregulloren e Kuvendit dhe se nuk rezulton ndonjë shmangie e rolit dhe kompetencave të Bashkisë së Tiranës. Më tej Gjykata sqaron se vendimi nr. 66 nuk krijon as efekte juridike në drejtim të uzurpimit të kompetencave të pushtetit vendor në fushën e planifikimit urban dhe menaxhimit të territorit, madje zbatimi i vendimit për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar nuk shkakton as konflikt kompetencash mes dy institucioneve. Sipas vendimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese, “kërkesa e Bashkisë së Tiranës është pa objekt dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk legjitimohet as nga pikëpamja formale, as nga ajo procedurale për të paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, pasi nuk ka tagër përfaqësimi. Dhe më poshtë në vendimin e djeshëm të togave të zeza thuhet se “Gjykata vendosi rrëzimin e kërkesës për pezullim për arsye të mungesës së argumenteve bindëse për cenimin e interesave shtetërore, shoqërore ose të individëve, si rrjedhojë e zbatimit të menjëhershëm të këtij vendimi”.

Gjykatësit që votuan kundër

Argumentimi i pakicës së trupës gjyqësore të Kushtetueses

Kundër vendimit të shumicës së trupës gjykuese të Gjykatës Kushtetuese ishin gjyqtarët Sokol Berberi, Petrit Plloçi dhe Sokol Sadushi. Në argumentimin e tyre tre gjykatësit theksuan: “Pakica konstaton se ndërmjet qeverisjes vendore dhe pushtetit qëndror ka lindur një mosmarrëveshje për ushtrimin e kompetencave të tyre në fushën e planifikimit, të menaxhimit urban si dhe të kontrollit mbi territorin. Ndryshe nga sa ka vlerësuar shumica, çmojmë se situata ligjore që ka krijuar vendimi nr. 66 ka shkaktuar një situatë faktike konfliktuale, e cila është baza dhe shkaku i lindjes së mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet pushtetit qendror dhe qeverisjes vendore. Sipas këndvështrimit tonë, vendimi nr. 66 i Kuvendit krijon efekte juridike të menjëhershme, pasi ka përcaktuar ndryshimin e destinacionit të sheshit dhe planvendosjen, detyrën e projektimit, si dhe fondin përkatës për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar. Ne gjykojmë se vendimi nr. 66 i Kuvendit ka krijuar efekte juridike të tilla që kanë shkaktuar një ndërhyrje në kompetencat e pushtetit vendor në fushën e planifikimit, menaxhimit urban dhe të kontrollit të territorit.”

Padia e Ramës

Bashkia e Tiranës (subjekti kërkues) nëpërmjet ish-kryetarit të saj Edi Rama në cilësinë e organit ekzekutiv, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se ndërmjet qeverisjes vendore dhe pushtetit qëndror ka lindur një mosmarrëveshje në ushtrimin e kompetencave të tyre kushtetuese. Subjekti kërkues ka identifikuar si shkak kryesor të mosmarrëveshjes ushtrimin e kompetencave të organeve të qeverisjes vendore në fushën e planifikimit, menaxhimit urban dhe kontrollit mbi territorin nga ana e Kuvendit të Shqipërisë. “Ka një dyshim serioz në lidhje me vlefshmërinë dhe kushtetutshmërinë e këtij vendimi. Ekziston një urgjencë për pezullimin e zbatimit, duke pasur parasysh se ky vendim ka filluar të zbatohet. Duhet të parandalohen pasojat e pariparueshme të karakterit pasuror, financiar dhe ligjor që vijnë nga ky ekzekutim”, - argumenton Bashkia.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›