E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shullazi: Maskat i mbaja si skafando

10/11/2011  Emiljano Shullazi lëvizte me makinën e Kuvendit të Shqipërisë. Ikën i treti

Gilmondo Dani: Pistoleta ishte e imja. Largon nga përgjegjësia Shullazin

TIRANË- Makina me të cilën lëvizte Emiljano Shullazi ishte në pronësi të Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa pronësinë e armëve të gjetura e ka marrë përsipër miku i tij. Policia dhe prokuroria e Tiranës japin detaje nga arrestimi i të shumëpërmendurit Emiljano Shullazi dhe mikut të tij Gilmondo Dani, të cilët u prangosën me armë dhe maska pikërisht në vendin ku u vra Arjan Selimi, pak javë më parë. Blutë e kryeqytetit thanë se 33-vjeçari Shullazi, lindur e banues në Tiranë, i dënuar disa herë për pengmarrje e tentativë vrasje dhe Gilmondo Dani, 32 vjeç, lindur e banues në Tiranë, i dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje”, u arrestuan pardje rreth orës 19.30’, në kryqëzimin me rrugën “Kongresi i Lushnjës” në Tiranë. Bashkë me ta ishte edhe një person i tretë, që mbante armë, i cili mundi t’i shpëtonte aksionit të policisë. Menjëherë u mor informacion dhe u ushtrua kontroll i imtësishëm, gjatë momenteve të qarkullimit me automjetin tip “Benz”, i tipit 240 me targa TR 2703 L, i cili rezulton në pronësi të Kuvendit të Shqipërisë. Ekspertët e komisariatit nr 2 iu kapën atyre edhe 2 çelësa të tjerë makine, ku njëra është e blinduar. Atyre ju sekuestrua në cilësinë e provës materiale një pistoletë tip “Glock”, me një krehër me 16 copë fishekë, maska të zeza, si dhe disa telefona celular. Ndërkaq, në deklarimet e tyre, Gilmondo Dani ka thënë se armën e kishte ai, duke larguar nga përgjegjësia Shullazin, ndonëse policia ja gjeti armën pikërisht Emiliano Shullazit. Ndërsa për sa i përket maskave që iu gjetën në makinë ata kanë deklaruar se ato i mbanin në vend të skafandrave të motorit, për t’u mbrojtur nga era. Emiljano Shullazi u kap disa vite më parë vetëm 100 m larg policisë së Tiranës me disa armë (shumica e të cilave kishte snajper), radiomarrëse dhe veshje policie, ndërsa u dënua edhe për trafik droge. Pas lirimit u prangos sërish sepse u akuzua si pengues i një mitingu të PS-së. Pas lirimit të radhës u kap me drogë e armë bashkë me 11 të tjerë dhe sërish u lirua. Policia e mbante nën survejim për disa kohë. Të enjten ata do të dalin përpara gjykatës së Tiranës. M. Mullai

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›