Kushtetuesja, kush janë tre kandidatët e Topit
Kreu i shtetit, Bamir Topi, dekretoi dje tre emra për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Vangjel Kosta, njëri prej tre emrave të dekretuar nga Presidenti i Republikës si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, është avokat me profesion. Po ashtu është i angazhuar edhe në mësimdhënie pranë Shkollës së Magjistraturës. Nga viti ‘93 e deri në vitin 2000 ka qenë anëtar i Gjykatës së Lartë. Anëtari tjetër është Bashkim Dedja. Fillimisht gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë dhe prej më shumë se 10 vjetësh gjyqtar i Apelit në Durrës. Në këtë pozicion, më 19 janar të 2009-ës ai u përzgjodh nga shorti i parë si anëtar i Kolegjit zgjedhor. Por me të drejtën që u jepte ligji, partitë e kontestuan bashkë me dy emra të tjerë dhe zoti Dedja nuk mundi të zgjidhej anëtar i Kolegjit Zgjedhor. Në korrik të 2008-s, gjyqtari Bashkim Dedja ishte një nga dy propozimet e Presidentit për kreun e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Përfundimisht, Kuvendi miratoi kandidaturën e Adriatik Llallës. Emri i tretë i dekretuar nga Presidenti për në Gjykatën Kushtetuese është Altina Xhoxhaj, gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë. Duke qenë 39 vjeçe, gjyqtarja Xhoxhaj mund të jetë gjyqtarja më e re në moshë e Gjykatës Kushtetuese. Por që prej vitit 2006, ajo është gjithashtu edhe anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Si gjyqtare e çështjeve civile, zonja Xhoxhaj ka gjykuar në Shkallën e Parë çështjen e prishjes së mbikalimit të “Zogut të Zi”. Në vitin 2008, bashkë me katër emra të tjerë, ajo u dekretua nga Presidenti i Republikës si anëtare e Gjykatës së Lartë. Por pesë dekretet e Presidentit u rrëzuan nga mazhoranca, e cila argumentoi atëherë se Presidenti nuk ishte konsultuar më parë me Kuvendin. Mbetet për të parë nëse tre anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese do të miratohen nga Kuvendi, duke qenë se dy prej tyre janë kontestuar në të shkuarën. Por a do të futej Partia Demokratike në një konflikt me Presidentin, kur ka një krizë të hapur politike me opozitën? Me interes pritet edhe mendimi i opozitës, që ka kërkuar që emrat e rinj të jenë profesionistë dhe të pavarur nga ndikimet. Presidentit i duhet të dekretojë edhe tre anëtarë të tjerë për Gjykatën Kushtetuese dhe dy për Gjykatën e Lartë.
#