Vexhi Buharaja përkujtohet në 90-vjetorin e lindjes
Përkthyesi i njohur beratas i letërsisë perse, Vexhi Buharaja, është përkujtuar dje në 90-vjetorin e lindjes, vit i cili përkon me mijëvjeçarin e kryeveprës së letërsisë perse “Shan Name”-së së Firdeusit. Për nder të përkthyesit Vexhi Buharja, i cili ka sjellë në gjuhën shqipe kryeveprat nga gjuha perse, dje është organizuar në këtë qytet vendosja e bustit të përkthyesit pranë bibliotekës që mban emrin e tij. Për të nderuar figurën e Buharasë ka qenë dje në Berat ambasadori i Iranit, Ali Amui, si edhe Shahrouz Falahatpisheh, drejtor i Fondacionit Kulturor Iranian “Saadi Shirazi”. Kreu i bashkisë, Fadil Nasufi, i ka dhuruar ambasadorit të Iranit një set me informacione të detajuara nga ky qytet, ndërkohë që të njëjtën gjë ka bërë edhe ambasadori iranian. Më pas të gjithë të pranishmit kanë vizituar ambientet e bibliotekës, ku një prej sektorëve të saj, ai i librit për të rritur, do të mbajë emrin e poetit të madh pers Firdus. Shoqata Kulturore Iraniane “Saadi Shirazi”, ka investuar për pajisjen e këtij sektori me kompjuter dhe i ka dhuruar kësaj biblioteke një set me shumë tituj librash. Po dje, është bërë edhe promovimi i botimit të librit “Firdeusi shqip dhe Vexhi Buharaja” që përmbledh aktet e një simpoziumi shkencor, organizuar disa javë më parë në Berat, kushtuar veprës së poetit të madh persian, Homerit të Lindjes, Firdeusit dhe përkthyesit të tij në gjuhën shqipe, Vexhi Buharasë, i cili ka sjellë në shqip një kryevepër të letërsisë botërore, Librin e Mbretërve e njohur ndryshe si “Shah-Name”-ja.
#