E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreditë, ulen interesat për shtëpitë, rriten për overdraftin

Statistikat Bankat po përpiqen të riaktivizojnë segmentin e kredive me kolateral

Interesat e kredive për kapital qarkullues për biznesin janë rritur gjatë muajve të fundit, ndërsa interesat për kreditë e dedikuara për blerje pronash të patundshme nga individët janë ulur. Sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata e Bankave, interesi mesatar i ponderuar për kreditë për blerje pronash në monedhën euro, ra në mars me 54 pikë bazë në krahasim me shkurtin, duke shënuar nivelin prej 7.47 për qind. Interesi për këto lloj kredish është ende 53 pikë bazë më shumë se sa në korrik 2008, pra në periudhën para krizës financiare ndërkombëtare, por gjithsesi tendenca është qartësisht në rënie. Kredia në euro është më e parapëlqyera nga shqiptarët për blerje pronash, pasi pavarësisht rrezikut të kursit të këmbimit që mbart, interesi i saj është shumë më i ulët se sa kreditë në lekë. Për të marrë kredi në monedhën vendëse për blerje shtëpie, në mars duhej të paguaje 11.8 për qind. Edhe interesi i kredive në lekë është reduktuar me 43 pikë bazë në krahasim me shkurtin.
Në përgjithësi, bankat kanë ulur interesat e kredive për individët, ndërsa kanë rritur ato për bizneset. Rritja më e fortë e muajit vërehet në kreditë overdraft në lekë për bizneset. Interesi u rrit me 197 pikë bazë në 15 për qind. Kreditë në euro të dedikuara për blerje makinerish e pajisjesh u rritën me 118 pikë bazë në krahasim me shkurtin.

Loja me interesat pasqyron edhe një zhvendosje të vëmendjes së bankave nga kreditë për bizneset te kreditë për familjet. Gjatë vitit të fundit, kreditimi për familjet në Shqipëri pësoi rënie neto, pasi bankat i konceptuan individët si subjekte shumë më të rrezikuara nga kriza. Gjithsesi, numri i klientëve të këqij ka qenë më i lartë mes kategorisë së biznesit. Muajt e fundit bankat duket se po i rikthehen normalitetit duke rinisur kreditimin e individëve. Interesat e kredive në euro për mallra të qëndrueshme, ku klasifikohen kreditë për blerje makinash, u ulën në 7.26 për qind në mars, nga 9.14 për qind që patën qenë në shkurt.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›