E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nismë e rëndësishme në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe pastrimit të parave

22-12-2010 / Elda Tomani

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miraton disa ndryshime në Kodin Penal


Është mbledhur ditën e djeshme Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Ky komision u mblodh për shqyrtimin e ligjit nr7895, datë 27. 01. 1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”. Objekt kryesor diskutimi nga anëtarët e komisionit të ligjeve ishte formulimi dhe përcaktimi në mënyrë të qartë i Kodit Penal. Gjatë kësaj mbledhjeje të komisionit të ligjeve u diskutua gjithashtu për ndryshimet e disa neneve, të cilat synojnë ridimensionimin e veprave penale të terrorizmit dhe të pastrimit të parave. Komisioni i Ligjeve miratoi me konsensus disa ndryshime në Kodin Penal. Këto ndryshime u fokusuan te veprat me qëllime terroriste, sigurimi dhe grumbullimi i fondeve për financimin e terrorizmit si  dhe te pastrimi i produkteve të veprës penale. Ndryshimet dhe rishikimet e disa neneve të kodit penal në kuadër të veprave terroriste synojnë reflektimin jo vetëm të qasjes së sotme ndërkombëtare në luftën kundër terrorizmit dhe pastrimit të parave, si krime që cenojnë shtetet dhe bashkësinë ndërkombëtare por reflektojnë edhe detyrimet që rrjedhin për Shqipërinë nga konventat ndërkombëtare. Përfaqësuesja e Ministrisë së Drejtësisë Marsida Xhafkollari theksoi para deputetëve se ndryshimet në Kodin Penal kanë ardhur falë rekomandimeve nga Këshilli i Europës. “Kjo nismë ka ardhur si rezultat i rekomandimeve të bëra nga Komiteti i Këshillit të Europës MONEYVAL në plotësim të legjislacionit tonë në fuqi”. Gjithashtu në kuadër të diskutimeve për pengmarrjen, veprat terroriste, krimin e organizuar etj, kryetari i komisionit, deputeti i Partisë Demokratike Ilir Rusmali theksoi së nuk mund të quhet vepër terroriste pengmarrja. “Pengmarrja është pengmarrje nuk është vepër terroriste”, tha Ilir Rusmali gjatë kësaj mbledhjeje të diskutimit për ndryshimin e disa neneve të Kodit Penal. Akti terrorist është përkufizuar sipas ndryshimeve të Kodit Penal kur dikush kryen një pengmarrje apo akte të dhunës kundër një personi p. sh.:,, në bordin e një avioni në fluturim, në bordin e një anijeje ose në bordin e një platforme fikse, atëhere kur këto akte rrezikojnë sigurinë e avionit, të mjetit të lundrimit ose të platformës fikse cilësohen si akte terroriste. Ndërsa deputeti i PD-së Dashnor Sula theksoi gjatë këtij diskutimi se në bazë të këtij projektligji, financimi i drejtpërdrejtë i një organizate terroriste, i veprave me qëllime terroriste si dhe mbështetja në çdo formë të tyre, dënohet jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet burgim. Por ky dënim varion dhe me burgim të përjetshëm si dhe me gjobë, nga 5 milionë lekë gjer në 10 milionë lekë. Deputeti Sula tha gjithashtu se ndryshimet janë bërë në përputhje me konventat dhe luftojnë luftën kundër terrorizmit. Ndryshimet në Kodin Penal janë  një nismë shume e rëndësishme në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe pastrimit të parave. Këto ndryshime përmirësojnë kodin penal lidhur me veprat penale të financimit të terrorizmit kundrejt veprave terroriste nëpër avione, anije dhe  platforma fikse etj. Kështu në nenin 230 te Kodit Penal ridimensionohen 19 vepra penale. Sipas rekomandimeve të komitetit MONEYVAL shtrihet aplikimi i juridiksionit universal mbi veprat e financimit të terrorizmit krahas veprave me qëllime terroriste neni 7/a. Në nenin 230 paragrafi i parë parashikohen edhe veprat penale të kryera kundër personave të mbrojtur ndërkombëtarisht. Në Komitetin e Këshillit të Europës MONEYVAL në seancën plenare të 33-të të mbajtur në shtator të 2010-ës  pas analizës së ndërmarrë nga ekspertët e komitetit për shtetet që kanë dalë nga Raundi i Tretë i Vlerësimit, ku bën pjesë dhe Shqipëria u evidentuan mangësi në lidhje me Rekomandimin Special II të Komitetit mbi kriminalizimin e veprave me qëllime terroriste dhe veprave të financimit të terrorizmit. Mangësi janë evidentuar gjithashtu edhe në lidhje me Rekomandimin i të Komitetit mbi kriminalizimin e pastrimit të produkteve të veprës penale. Nëpërmjet këtyre ndryshimeve janë bërë përmirësime lidhur me veprën penale të grumbullimit të fondeve për financimin e terrorizmit duke mundësuar kështu kriminalizimin e financimit të organizatave terroriste, akteve terroriste por edhe të veprimtarisë së terroristëve individuale. Përshtatja dhe përmirësimi i legjislacionit të brendshëm në përputhje me aktet ndërkombëtare dhe rekomandimet e organizmave ndërkombëtare ku shteti ynë është palë përbën  një detyrim kushtetues i cili rrjedh prej nenit 122 të Kushtetutës sonë. Ndryshimet e propozuara me anë të këtij projektligji janë konceptuar në mënyrë të tillë që të sigurojnë përputhshmëri të plotë me instrumentet ndërkombëtare. Gjithashtu këto ndryshime të  propozuara adresojnë rekomandimet e Komitetit për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit dhe në këtë kuadër synojnë arritjen e vlerësimit sa më të mirë të Shqipërisë në raundin e katërt të vlerësimeve.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›