Kushtetuesja rrëzoi PD-në për Ligjin për Akademinë e Shkencave, Zhupa: U tregua që opozita ka të drejtë

TIRANË, 12 shkurt/ATSH/ Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ditën e djeshme kërkesën e Partisë Demokratike për Ligjin e Akademisë së Shkencave.
Kryetarja e Komisionit të Edukimit, njëherësh dhe deputetja e PD-së, Ina Zhupa ka reaguar pas këtij vendimi duke kërkuar rikthimin e ligjit në gjendjen e mëparshme.
Në një reagim në Facebook, Zhupa thotë se Kushtetuesja nuk e shpalli dot ligjin për Akademinë e Shkencave në ndarje të barabartë votash dhe në përputhje me ligjin.
“Gjykata Kushtetuese me vendimin e datës 10.02.2025 refuzoi ta pranonte si në përputhje me Kushtetutën ligjin që shpalli të përjetshëm Skënder Gjinushin, ish-ministrit të diktaturës, në krye të Akademisë. Gjykata nuk votoi dot si kushtetues dhe në përputhje me rregulloren e Kuvendit këtë ligj, duke treguar qartësisht që opozita kishte të drejtë”, shkruan Zhupa.
Sipas saj, “Gjykata Kushtetuese ka delegjitimuar zgjedhjen e kryesisë, kryetarit dhe nënkryetarit Gjinushi dhe Tole. Janë produktet e një puçi parlamentar që edhe Gjykata Kushtetuese nuk e mohoi dot se ka ndodhur. Trupa gjyqësore nuk mundi të bënte më shumë nën presionin politik, por e la të palegjitimuar këtë ligj me porosi pa asnjë interes publik dhe në shkelje të Kushtetutës.”
Zhupa më tej tha se “Skënder Gjinushi dhe Vasil Tole duhet të japin dorëheqjen se nuk mund të drejtojnë më Akademinë e Shkencave kur janë të palegjitimuar dhe produktet e një puçi dhe këtë as Gjykata Kushtetuese nuk e kundërshtoi. Uroj shumë që trupa e akademikëve dhe kërkuesve shkencorë të mos i bindet më vendimeve dhe urdhrave të një kryesie, ku kryetari dhe nënkryetari nuk kanë marrë legjitimitet kushtetues.
Për të njëjtin vendim, ka reaguar edhe Akademia e Shkencave, ku në një postim në rrjetet sociale ka shpërndarë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin e Akademisë së Shkencave.
/r.e/a.f/
