E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtetuesja rrëzon kërkesën e Shoqatës së Hidrokarbureve

Vendimi i djeshëm la në fuqi udhëzimin e fundit të ministrit të Financave, Ridvan Bode. Çfarë pretenduan palët në proces dhe pse Gjykata nuk e pranoi kërkesën

Laureta Rryçi

Tiranë - Gjykata Kushtetuese rrëzoi dje kërkesën e Shoqatës së Hidrokarbureve duke e cilësuar të drejtë udhëzimin e fundit të ministrit të Financave, Ridvan Bode. Sipas vendimit të Kushtetueses, në datat 18.06.2008, ministri i Financave ka nxjerrë Udhëzimin nr. 18, datë 18.06.2008 “Për disa shtesa në Udhëzimin nr. 17, datë 13.05.2008 ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar’”. Ky udhëzim i ri ka shtuar dy skema të veçanta për tatimin e furnizimeve: skemën e karburanteve dhe skemën e cigareve. Një nga pikat e shtuara bën rregullimin e regjimit fiskal të furnizimit të karburanteve. Kjo pikë, ndër të tjera, parashikon se regjimi fiskal përcaktohet në mbështetje të Nenit 11 të Ligjit nr. 7928, datë 27.04.1995 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar” (ligji për TVSH-në), të ndryshuar. Importuesit dhe prodhuesit, që janë furnizuesit primarë, konsiderohen si kryesorë, ndërkohë që operatorët që furnizohen prej tyre konsiderohen si agjentë. Agjenti paraqitet si përfaqësues i kryesorit duke kryer një ndërmjetësim të konsideruar si furnizim shërbimi dhe që është i tatueshëm si i tillë. Pas këtij vendimi, në ditët e para të shtatorit të vitit që lamë pas, Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për të shfuqizuar dhe pezulluar pikën 1 të këtij udhëzimi, që mban firmën e ministrit të Financave.
Pretendimet e Shoqatës
Shoqata e Hidrokarbureve, në padinë e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, ngriti pretendimet se me udhëzimin e fundit të ministrit të Financave cenohej parimi i lirisë së veprimtarisë ekonomike dhe e drejta e pronës dhe ekonomisë së lirë të tregut, të mbrojtura nga Neni 11 i Kushtetutës. Në këtë nen parashikohet që mes furnizuesve të karburanteve të ketë vetëm kontratë agjencie, duke mos u lënë mundësi subjekteve të zgjedhin lirisht kushtet e marrëveshjes së tyre. Kështu, shitësit me pakicë nuk mund të jenë zotërues të mallit. Udhëzimi kufizonte gjithashtu lirinë ekonomike dhe ky kufizim është bërë pa ligj dhe pa pasur në konsideratë asnjë interes të rëndësishëm publik.
Sipas tyre, udhëzimi duhej pezulluar për shkak të pasojave të pariparueshme dhe dëmit ekonomik që ai sjell për kërkuesit.
Vendimi
Sipas përfaqësuesve të qeverisë, ky kufizim ligjor ka dalë i diktuar nga nevojat publike për shmangien e informalitetit dhe evazionit fiskal. Shkalla e lartë e informalitetit dhe e evazionit fiskal në furnizimin e kategorive të veçanta (edhe të karburanteve, sipas statistikave të Ministrisë së Financave), krahasuar me kufizimin për vendosjen e skemave të veçanta, tregon se përmbushet kriteri i proporcionalitetit të ligjit mbi TVSH-në. Pas këtyre pretendimeve Gjykata Kushtetuese ka vendosur ta rrëzojë kërkesën e shoqatës së hidrokarbureve duke dhënë disa argumente. Sipas gjykatës, ky udhëzim nuk kufizon lirinë ekonomike ashtu siç ka pretenduar edhe Shoqata e Hidrokarbureve.

29 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›