PS: Qeveria ka dyfishuar varfërinë në vend. PD: Partia Socialiste mashtron
Partia Socialiste e quan të vonuar vendimin e qeverisë për rritjen e pagave dhe të pensioneve. Selia rozë deklaron se kjo rritje duhet të ndodhte shumë kohë më parë, pasi prej të paktën dy vjetësh çmimet e energjisë, bukës dhe produkteve ushqimore kanë pësuar një rritje që e kalon shifrën 100%. Nënsekretari për Programin në Partinë Socialiste, Ilir Beqja, tha se kryeministri Berisha nuk mbajti as gjysmën e premtimit që u bëri shqiptarëve në fushatën elektorale të 2005-s. Beqja tha gjithashtu se kryeministri Berisha, teksa i referohej studimit për varfërinë, nuk pati kurajën që të pranonte se varfëria është dyfishuar në Tiranë dhe në zonat malore të vendit. Ndërkohë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Partisë Demokratike. Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, tha se Partia Socialiste mashtron dhe se po trillon vetëm e vetëm për të hedhur baltë ndaj mbajtjes së premtimit të qeverisë për dyfishimin e pagave dhe të pensioneve.
Ruçi: “Programi ynë zgjidh përfundimisht çështjen e pronësisë mbi tokën”
Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, ka qenë në fshatin Gorishovë të qarkut Fier. Gjatë takimit me banorët në këtë fshat Ruçi është ndalur në premtimet e pambajtura të kësaj maxhorance, siç është dhe aksi rrugor, që do t’u mundësonte këtyre banorëve nxjerrjen e prodhimeve në treg.
Ruçi ka prezantuar në Gorishovë dhe programin e ri të PS-së, duke u ndalur tek dhënia e certifikatës së pronësisë të gjithë fermerëve për të bërë të mundur zhvillimin rural. “Në 4-vjeçarin e ardhshëm, Partia Socialiste do t’i japë zgjidhje një herë e përgjithmonë çështjes së pronësisë për tokën. Sot janë 11 ligje që vijnë në kundërshtim me njëri-tjetrin. Sot fermerët e kanë tokën, por ende nuk kanë certifikatën e pronësisë së saj. Ja pse PS-ja do t’i kushtojë në radhë të parë vëmendje vendimtare çështjes së tokës, me qëllim që kushdo ta ndiej veten një herë e përgjithmonë zot në tokën e tij”, - tha Ruçi.
Nikolla: “PS-ja do të votojë në Kuvendin e ri Kodin e Tokës”
Anëtarja e Kryesisë së PS-së, Lindita Nikolla, ka qenë për të prezantuar programin e ri qeverisës të PS-së në Zejmen të Lezhës. Në takimin e zhvilluar me banorët e këtij fshati Nikolla u ndal në kapitullin për bujqësinë, duke u shpjeguar se ky dokument është hartuar me një vizion të ri, me ide dhe zgjidhje të reja për të pasur një fshat të mirëqenë. “Partia Socialiste merr përsipër të kryej reformën e plotë ligjore për të kapitalizuar tokën, për ta kthyer atë në një instrument të rëndësishëm të zhvillimit të fshatit. PS do të marrë nismën ligjore, do të shkruaj projektin ligjor, por edhe do të miratojë në Parlament përmes votës, pikërisht Kodin e Tokës, që do të kthehet në një instrument tejet të rëndësishëm për zhvillimin e fshatit”.
Nikolla foli gjithashtu edhe për shëndetësinë, ku deklaroi se objektivi i PS-së është ndërtimi i Shërbimit Shëndetësor Universal, i cili do të mundësojë shërbim për të gjithë ata, që nuk janë të siguruar të marrin shërbim shëndetësor.
Balla: “Qeverisja, e dështuar, po pengon liberalizmin e vizave”
Partia Socialiste deklaron se qeveria shqiptare nuk po bën asgjë për liberalizimin e vizave për shqiptarët. Deputeti socialist Taulant Balla tha se dështimi dhe korrupsioni i qeverisë po pengon realizimin e kësaj kërkese të domosdoshme për shqiptarët.
“Shqiptarët e dinë sot se ne vazhdojmë të vuajmë haraçin e vizave për shkak të korrupsionit të Sali Berishës, të familjes dhe oborrtarëve të tij. Në këtë vend nuk mund të këtë rezultate konkrete dhe të besueshme në luftën kundër korrupsionit, kur vetë kryeministri përmes të vetëve dhe këshilltarëve është i zhytur kokë e këmbë në pisllëqe dhe pazare kriminale e trafiqe. PS-ja garanton se në Programin e saj qeverisës, ka parashikuar hapa konkretë që përmbushin detyrimet për liberalizimin e vizave brenda 6-mujorit të parë të qeverisjes, duke mundësuar kështu shqiptarëve lëvizjen e lirë në hapësirën Shengen”, - tha Balla.
29 Prill 2009